Gazetarët shqiptarë rrezikojnë jetën kur raportojnë për qeverinë Rama, media e huaj përmend edhe rastin e Ardit Gjoklajt

Tuesday, 09 July 2019 17:24

Nga Attila Mong

Dy vajzat e vogla të Klodiana Lalës ishin në gjumë në shtëpinë e prindërve të saj kur dikush e gjuajti shtëpinë me breshëri automatiku në orët e para të mëngjesit të 30 gushtit, duke dëmtuar muret e dritaret.

Askush nuk u lëndua, por reporterja e News 24, e cila nuk ishte e pranishme aty në atë kohë, tha se sulmi e tronditi familjen e saj. ‘Jemi ende të tronditur, ndërsa vajzat janë të tramatizuara’, më tha ajo në qershor, në Tiranë. ‘Jemi familje e thjeshtë, nuk kemi pasur kurrë probleme me ndokënd’.

Thuajse një vit më pas, askush nuk është arrestuar. Lala thotë se i vetmi motiv që i shkon ndër mend është puna e saj në denoncimin e lidhjeve midis krimit të organizuar dhe politikës, për të cilat fitoi edhe një çmim ndërkombëtar sivjet.

‘Gazetarët këtu ecin mbi fushë të minuar dhe rreziku më i madh është kur nuk e kuptojnë se cilin shkelin mbi kallo kur bëjnë investigimet e tyre’, thotë Besar Likmeta, një reporter investigativ për Balkan Investigative Reporting Network (BIRN), një rrjet rajonal organizatash joqeveritare.

Bisedat me gazetarët dhe liderët politikë, përfshirë kryeministrin Edi Rama, gjatë një misioni për lirinë e shtypit, zbuluan një situatë shqetësuese: sulme fizike kundër shtypit që kalojnë pa u ndëshkuar, funksionarë publikë që që përdorin rregullisht gjuhë minimizuese për reporterët kritikë, dhe paketa ligjore e propozuar për portalet vendase e të huaja, e cila nuk është në një linjë me standardet evropiane e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Përveç kësaj, gazetarët duhet të kalojnë përmes kompleksitetit të raportimit në një vend ku sistemi politik, elita e biznesit dhe madje edhe vetë pjesë të medias janë të ndërthurura me grupe të krimit të organizuar. The Guardian, Deutsche Welle, Vice e të tjera kanë raportuar se si bandat shqiptare prodhojnë e trafikojnë drogë në Evropë, duke sjellë sasi të mëdha parash në vendin me më pak se tre milionë banorë, parà që më pas i kalojnë në sistemin politik përmes financimit të partive. Një raport i Fondacionit për Shoqëri të Hapur mbi krimin e organizuar në Shqipëri më 2016 zbuloi se bizneset e madje edhe kompani meiatike shpeshherë përfitojnë nga paratë e pista përmes investimeve dhe reklamave. Financimi i fushatave të errëta ndikon edhe në rrugë të tjera mbi median: BIRN raportonte muajin e kaluar mbi praktikën e shitjes së lajmeve, përmes pagesave për shfaqje apo përmendje në lajme, që është bërë praktikë e zakonshme.

Në bankat e vendit qarkullojnë kaq shumë parà saqë çdo javë duhet çuar jashtë, sepse banka qendrore nuk i pranon depozitat. Në prill, një grup i armatosur sulmoi avionin e Austrian Airlines, duke grabitur miliona euro. Kur u largova nga Tirana, mora të njëjtin fluturim për në Vienë dhe pashë kolonën e makinave të blinduara të mbushura me parà, si dhe policët të armatosur me automatikë, për të ruajtur transportimin.

Qeveria i mohon rregullisht akuzat për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Një raport i Departamentit të Shtetit të SHBA në mars jepte një vlerësim të Shqipërisë, duke treguar se vendi ‘nuk ka bërë progres të rëndësishëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimeve financiare’ vitin e kaluar.

Fatos Lubonja e përmblodhi në mënyrë më elokuente çështjen, duke më thënë ‘imagjinoje Shqipërinë si shtëpi me tre kate, me krimin e organizuar në katin e parë; biznesin, oligarkë që kanë në zotërim edhe median në katin e dytë, dhe partitë politike në të tretin. Dhe këto kate lidhen me shkallë e ashensorë’.

Ata që e kalojnë kufirin shpesh e shohin veten pa punë, siç i ndodhi Alida Totës e Artan Ramës, dy gazetarë të njohur që në veç njëri tjetrit investiguan lidhjet e supozuara midis Bashkisë së Tiranës, e kontrolluar nga kryebashkiaku socialist Erion Veliaj, dhe një kompanie ricikluese në landfillin e Sharrës, ku një punëtor 17-vjeçar vdiq më 2016. Programi i Artan Ramës në Vizion Plus u anulua ditën që do të transmetonte investigimin, më 16 tetor, duke e lënë gazetarin pa punë, sipas raportimit nga Balkan Insight. Në një postim në Facebook, ai e përshkruante anulimin si akt censure. Në të njëjtin vit, Tota, e cila raportonte mbi të njëjtën çështje, u pushua nga puna në televizionin A1 vetm pak orë pasi kontaktoi me zyrën e kryebashkiakut për komente.

Veliaj refuzoi të takohej me misionin për lirinë e shtypit dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara me email nga CPJ (Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve).

‘Pas investigimit tim, të gjitha dyert në median kryesore m’u mbyllën dhe mora edhe kërcënime me vdekje’, thotë Tota për CPJ, duke shtuar se iu desh të linte gazetarinë e madje edhe Shqipërinë për një periudhë të shkurtër, duke e çuar familjen në azil në Suedi nga frika e këcënimeve. Ajo e paditi televizionin për pushim të paligjshëm nga puna dhe për pagat që i detyroheshin, duke e fituar çështjen më 2017, por nuk u rikthye kurrë më në gazetari. Teksa vendosi në favor të Totës, gjykata i hodhi poshtë pretendimet e saj se ishte pushuar për shkak të investigimit.

Artan Rama, i cili gjithashtu foli për CPJ, tani punon si reporter i lirë jashtë medias tradicionale, një biznes i vështirë në tregun shqiptar të dominuar nga lojtarët e mëdhenj. Në një email dërguar CPJ, televizioni Vizion Plus thotë se Rama u largua me dëshirën e tij. Stacioni mohoi se programi ishte censuruar për shkak të përmbajtjes.

Përjashtim nga presionet nuk përbëjnë as reporterët e huaj. Alice Taylor, gazetare britanike me bazë në Tiranë, u sulmua nga media pro-qeveritare që e akzonte për publikim propagande kundër Shqipërisë dhe për lidhje me Rusinë, pasi ajo kritikoi korrupsionin qeveritar. ‘U sulmova në median sociale, më shanin në rrugë, u tmerrova dhe për një javë merrja një shoqe të më shoqëronte’, më tregoi Alice.

Louis Sellier, një reporter i pavarur francez, më tha se ambasadori shqiptar në Paris kishte ushtruar presion mbi një nga punëdhënësit e tij, të përditshmen franceze Libération, pas një artikulli kritik mbi korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar, botuar në shkurt. Në një letër shkruar për Libération, e parë nga CPJ, nënshkruar nga Ambasadori Dritan Tola, Sellier akuzohej për njëanshmëri dhe letra dukej se linte të kuptohej që gazetari nuk ishte njeriu i duhur për të shkruar nga Tirana, duke thënë se ‘prezantimi i tij si korrespondent i Libération është problematik’.

Në një email për CPJ, Tola konfirmoi se kishte korresponduar dhe ishte takuar me ekipin e Libération në Paris për të shprehur shqetësimin mbi ‘prezantimin shumë të simplicist, në mos karikaturë, të vendit nga gazeta’ për për raportimin ‘e paekuilibruar’ të Sellier, për të cilin tha se ‘pikturon një Shqipëri tepër të errët e të zymtë’. Tola mohoi të kishte ushtruar presion mbi gazetën apo të kishte sugjeruar zëvendësimin e Sellierit.

Në një tjetër rast, kryeministri Rama njoftoi se kishte pajtuar një avokat gjerman për të paditur Peter Tiede, reporter i së përditshmes gjerman Bild, pas publikimit të një serie përgjimesh audio që tregoinin se si një rrjet trafikimi droge përpiqej të bënte deputet të parisë në pushtet një person të preferuar të tyre, në zgjedhjet e përgjitshme më 2017. Më herët gjatë këtij viti, BIRN dhe Zëri i Amerikës publikuan një investigim të përbashkët për përfshirjen e bandave kriminale në zgjedhjet e përgjithshme më 2017 dhe në pjesërisht në zgjedhjet lokale më 2016.

‘Kur kjo iu ndodh gazetarëve të huaj këtu, imagjinoni se ç’heqin gazetarët shqiptarë’, thotë Mimoza Koçiu, nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë. Koçiu, e cila u takua me misionin për lirinë e shtypit, tregoi paditë për shpifje nga politikanët, që shpesh kërkojnë dëmshpërblim në disproporcion, dhe ngacmimet e gazetarëve online, shpesh të nxitura nga komentet e politikanëve apo nga shtypi pro-qeveritar.

Nuk është për t’u habitur që shumë gazetarë shqiptarë preferojnë të qëndrojnë larg temave delikate. Një raport i vitit 2015 nga BIRN zbuloi se më tepër se gjysma e 121 gazetarëve të anketuar shpesh ose disa herë kishte shmangur raportim ngjarjesh ku krimi dhe politika ishin objektet kryesorë të shmangies. Çështja përkeqësohet nga fakti që në tregun mediatik shqiptar gjysma e audiencës dhe 90% e të ardhurave kontrollohen nga katër familje të fuqishme, siç kanë treguar studime të tjera, të kryera nga OJQ, përfshirë Institutin për Zhvillim, Kërkime dhe Alternativa, me bazë në Tiranë.

Kur iu kundërvura kryeministrit Rama, i cili e priti misionin e përbashkët për lirinë e shtypit në Tiranë, ai i hodhi poshtë kërcënimet karshi gazetarëve. ‘Nuk mund t’i duroj këto gjeste heroizmi false, (...) që luajnë rolin e divave’, tha ai, kur iu paraqitën zbulimet e misionit.

Ai e mbrojti retorikën negative kundër gazetarëve. Rama iu referohet rregullisht reporterëve si ‘kazan’, ndërsa lideri i opozitës, Lulzim Basha, i referohet medias si ‘e kapur dhe e blerë’. Një gjuhë e tillë, siç ia thamë edhe Ramës, i denigron gazetarët dhe i shndërron në shënjestër të ligjshme për agresion, duke rritur rrezikun e kërcënimeve apo të dhunës kundër tyre. Nga fundi i takimit, Rama duket se u bind nga argumentet tona dhe premtoi të mos i quante më gazetarët ‘kazan’.

Pavarësisht kritikave ndërkombëtare, Rama premtoi të vazhdonte me legjislacionin – të cilin shpesh e quan paketa anti-shpifje – që do të imponojë kërkesa të detyrueshme për regjistrimin e medias online dhe do të krijojë një organ qeveritar me fuqinë për të vendosur gjoba të rënda e për të mbyllur median online si dhe të bllokojë median e huaj pa vendim gjykate. Drafti i parë u prezantua në dhjetor, pa konsultim me gazetarët dhe grupet e shoqërisë civile. Rama na tha se dy amendamentet ishin të rëndësishëm për të disiplinuar median online e cila, sipas tij, shpesh shpif për politikanët. Rama tha se drafti i përmirësuar do të eliminojë mundësinë e mbylljes dhe (parashikon) gjoba më të lehta.

Në një aspekt pozitiv, ai tha se do të konsideronte heqjen e plotë të ligjeve penale për shpifjen. Dënimet me burg për shpifje u hoqën më 2012, por mbetet si krim penal i ndëshkueshëm me gjobë. Në vitet e fundit, Shqipëria ka parë propozime për rikthimin e ligjeve kundër shpifjeve për zyrtarët e lartë të shtetit. Rama tha se personalisht nuk do ta përdorte ligjin kundër gazetarëve, por në ‘raste ekstreme’ do të vazhdonte të ngrinte padi civile për shpifje kundër gazetarëve.

Në kohën që misioni ishte në Tiranë, Bashkimi Evropian bëri të ditur se do të vononte hapjen e negociatave me Shqipërinë përmes shqetësimeve për korrupsionin. Në takime me diplomatë të vendeve anëtarëve në Tiranë, ata thanë si gjendja e lirisë së shtypit monitorohet nga afër. Progres-raporti i fundit i BE vuri në dukje ‘progresin e kufizuar’ të Shqipërisë në lirinë e shtypit, gjë që – siç tha një diplomat – mund të kuptohet si kritikë në gjuhën e BE.

* Attila Mong është një reporter i pavarur dhe korrespont i CPJ (Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve) për Evropën me bazë në Berlin. Ai ka fituar Pulitzer Memorial Prize për Gazetarinë më të Mirë Investigative më 2004 dhe Soma Investigative Journalism Prize më 2003.

Login to post comments