Çelja e bisedimeve të pranimit me Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore ishte tema qendrore e bisedimeve midis presidentit shqiptar, Ilir Meta, dhe homologut të tij maqedonas, Stevo Pendarovski.
Meta e Pendarovski u takuan gjatë samitit të krerëve të shtetit nga Europa Juglindore që u mbajt në Sarajevë, (SEECP). Gjatë këtij takimi në kryeqytetin e Bosnje dhe Hercegovinës, në një postim në Facebook sot, Meta shkruajti se “të dy vendet do të duhet të bashkohen me përpjekjet e tyre për të nisur negociatat e pranimit në tetorin e ardhshëm”, afat që është caktuar nga Këshilli Evropian si data për të marrë një vendim lidhur me dy vendet aspirante, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
“Ne duhet të përfitojmë nga ky moment pozitiv, për të cilin kontribut ka marrëveshje e Prespës, jo vetëm për Maqedoninë Veriore”, tha Meta.
Më herët gjatë këtij samiti Presidenti Meta takoi edhe homologun turk, Erdogan.
Presidenti Ilir Meta, nga Sarajeva,foli edhe për krizën politike në Shqipëri teksa kujtoi se sot bëhet një muaj, sipas tij, që është shpërdoruar (nuk është gjendur ende zgjidhje), që nga dekreti për anulimin e 30 qershorit.
“Ndërkohë sot bëhet një muaj i shpërdoruar kot që nga dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, për arritjen e një zgjidhje gjithpërfshirëse që forcon besueshmërinë e vendit për zgjedhje të lira e të ndershme”, theksoi Meta.