Ish-presidenti Bujar Nishani ka parashikuar radikalizimin e aksionit politik të opozitës së bashkuar joparlamentare, duke u shprehur se tashmë ka nisur faza e betejës finale e përballjes me “regjimin monopartiak”.
Në një intervistë në emisionin televiziv “Top Talk”, Nishani tha se qëllimi i opozitës nuk ka dështuar, për arsye se aksioni i saj nuk ka përfunduar. “Opozita në gjykimin tim ka hyrë në fazën e betejës finale. Përderisa nuk kemi një proces të përfunduar, nuk mund të themi që dështoi qëllimi i opozitës. Mendoj se do të ketë një radikalizmim akoma më të madh politik të këtij procesi; të përballjes së qytetarëve me këtë që është tashmë është instaluar si regjim monopartiak.”- u shpreh Nishani.
I pyetur nëse vendimi për djegien e mandateve dhe braktisjen e punimeve të Kuvendit, e ka dëmtuar Partinë Demokratike, ish-ministri i Mbrojtjes u përgjigj: “Nuk jap një definicion përfundimtar sepse do jetë e ardhmja ajo që do vërtetë nëse PD është dëmtuar, por institucionet formalisht kanë rënë në Shqipëri…E vetmja gjë që i ka mbetur opozitës është rruga dhe ajo ka dalë në rrugë. Nuk është mirë që opozita të jetë në rrugë. Në një sistem normal opozita duhet të jetë brenda institucioneve dhe fakti që ato janë zhbërë dhe për opozitën nuk ka hapësirë.”
Sipas Nishanit, reagimi qytetar do të tejkalojë edhe menaxhimin politik apo procedural, që opozita mund t’u bëjë qytetarëve. “Janë akumuluar aq shumë problematika, që po bëhen shumë agresive. Bëhet fjalë për çështje sociale dhe ekonomike, që opozita nuk mund t’i menaxhojë dot. 85% e qytetarëve shqiptarë nuk janë me këtë qeveri, që do të thotë se 15% nuk mund të sundojë më.”- tha ish-deputeti i PD-së.