Në një intervistë për “Koha Jonë”, nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, e pyetur për zgjidhjen e kësaj krize të madhe, e cila është sa institucionale, kushtetuese por edhe ekonomike dhe sociale, ajo thotë se nuk është ulja në tavolinë me keqbërësin. “Për të dalë nga kjo situatë duhet mbi të gjitha politika të veprojë atdhedashuri dhe përgjegjshmëri, që fatkeqësisht si veti nuk i kemi parë në asnjë rast të reflektohen nga Edi Rama”,-thotë Mehmetaj.
Reagimi i plotë, i shkëputur nga intervista
Sa i takon opozitës “fake” në Parlamentin ilegjitime, nuk vlen të bëj më komente, është parë nga kushdo se ata janë aty për ti shërbyer Edi Ramës dhe se vazhdojnë të përdoren nga ai si kukulla pa identitet. Sa i takon kaosit, kur ka vullnet dhe largpamësi, ka gjithmonë zgjidhje për çdo ngërc. Kriza nëpër të cilën po kalon vendi është e thellë, pasi nuk është vetëm krizë institucionale por edhe kushtetuese edhe ekonomike edhe sociale. Për të dalë nga kjo situatë duhet mbi të gjitha politika të veprojë atdhedashuri dhe përgjegjshmëri, që fatkeqësisht si veti nuk i kemi parë në asnjë rast të reflektohen nga Edi Rama. Për tu larguar nga clishe-të, le të kujtojmë edhë njëherë faktet me të cilat përballemi sot:
Institucione jo legjitime, duke filluar me Parlamentin për të vazhduar me Qeverinë, Prokurorinë etj; Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë jashtë funksioni prej disa vitesh tashmë; Edi Rama po përpiqet me çdo kusht të ndërtojë një shtet paralel brenda shtetit shqiptar që nuk respekton ligjet por urdhrat. Përmendim këtu rastin e KQZ që nuk respekton Kushtetutën dhe Dekretin e Presidentit por vepron me urdhër të Edi Ramës;
Po ashtu, mbi tavolinë kemi fakte mbi abuzimet e shpeshta që qeveria Rama ka kryer, që nga PPP-të e koncesionet, tek bashkëpunimi me krimin e organizuar e deri tek krimet e rënda zgjedhore ku duhen përmendur dosjet 339/1 dhe 184 që flenë në prokurori por përgjimet e të cilave janë bërë publike nga “Bild”;
Votimet moniste të 30 qershorit u mbajtën në paligjshmëri të plotë duke dhunuar jo vetëm ligjet dhe Kushtetutën, por duke nxitur një konflikt të mundshëm civil. E megjithëse i vetëm në garë, edhe më 30 qershor Edi Rama nuk e mundi dot vesin e vjedhjes së votës dhe manupulimit të rezultatit. I them të gjitha këto, për të kuptuar se ulja në tavolinë me keqbërësin për të ndarë disa pazare momenti nuk do i shërbente Shqipërisë, ajo që duhet tani është një zgjidhje afatgjatë që synon të rikthejë demokracinë pluraliste e ta vendosë vendin nën sundimin e ligjit dhe Kushtetutës, ku institucionet veprojnë të pavaruara dhe mekanizmat e kontrollit funksionojnë me kapacitet të plotë.
Për brezin tim, që ka lindur dhe është rritur me togfjalëshin “e duam Shqipërinë si gjithë Europa” ëndrra Europiane nuk realizohet më me dialog midis pak njerëzish dhe as duke rrezikuar demokracinë për stabilitet afatshkurtër. Ne do të jemi pjesë e Europës vetëm kur të kemi demokraci të fortë, drejtësi të barabartë për të gjithë dhe institucione që zbatojnë ligjin. Ta harrojmë se BE do të hap negociata me një vend që nuk është në gjendje as të zhvillojë zgjedhje pluraliste, e jo më me standarte. Në Samitin e Poznanit u pa qartë që vlerësimi ndaj Shqipërisë është zero dhe jo vetëm si pasojë e një qeverie të dobët e të paaftë për të paraqitur projekte por mbi të gjitha sepse qeveria është e korruptuar dhe vepron nën diktatin e interesave të një grushti të vogël njërëzish.
Unë gjykoj se ka ardhur momenti tu flasim Shqiptarëve pa doreza, të mos trembemi nga sfidat e mëdha apo nga pasojat që lufta për demokraci mund të sjellë mbi secilin prej nesh, si pjesë e klasës aktuale politike por të vendosur ti shkojmë deri në fund. Ka vetëm një zgjidhje për krizën, mbajtja e zgjedhjeve me standarte dhe hapja e rrugës për ndryshime të thella kushtetuese që e vendosin sovranin në majën e Piramidës së marrjes së vendimeve. Kur them zgjedhje nuk shqetësohem për atë që do të marrë pushtetin pas këtyre zgjedhjeve por zgjedhje të lira nga krimi e presionet e që do i hapin rrugë reformimit tërësor të vendit. Shqipëria ka plot vajza e djem, burra e gra të zotë e të mirë që mund ta drejtojnë atë drejt integrimit, mjaft më me banditë e shpërdorues.
Redjon Shtylla