Në raportin e fundit për investimet në Shqipëri të përpiluar nga qeveria e SHBA, DASH, jepet alarmi se biznesi i ndershëm në Shqipëri po lëngon nën thundrat e korrupsionit qeveritarë, skemës mafioze të 3 P-ve dhe koncesioneve, tenderave të punëve publikë të paracaktuar dhe VKM-ve e ligjeve speciale, në favor të një grushti oligarkësh.
“Investitorët raportojnë shqetësimet e vazhdueshme që rregullatorët përdorin legjislacionin dhe rregulloret e vështira për t’u interpretuar ose jo konsistente si mjete për të fshehur investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën. Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime kuptimplote me komunitetin e biznesit; pronarët e bizneseve dhe shoqatat e biznesit shpesh theksojnë se nuk kanë marrë njoftim, kohë ose mundësi të mjaftueshme për angazhim në ndryshimet rregullatore dhe legjislative”, shkruhet e zeza mbi të bardhë në raportin e fundit të DASH.
Kjo mafie ekonomike, ky “shtet brenda shtetit”, i cili ka kapur për fyti ekonominë shqiptare dhe po grabit pa mëshirë financat dhe pasuritë e vendit, madje është bërë aq i fuqishëm dhe arrogant, sa që ka bllokuar edhe investitorët e fuqishëm dhe seriozë të huaj, që të hyjnë në ekonominë shqiptare. Asnjë punë e madhe publike në Shqipëri nuk po bëhet nga kompani të huaja, por vetëm nga një grusht oligarkësh të cilët i bëjnë dokumentet sikur janë ortakë me firma “të huaja” fantazmë. Të gjitha të regjistruara nëpër vende offshore me burime financimi të errëta. Të jesh biznesmen i ndershëm në Shqipëri, të mos jesh klient i qeverisë Rama dhe në shërbim të Rilindjes; të mos japësh përqindjen e ryshfetit, nuk ke asnjë shans që “të çash” për të bërë biznes, edhe sikur të jesh komani gjermane, amerikane...serioze dhe e madhe.
“Investitorët e mëdhenj të huaj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politikë specifike dhe shprehin shqetësimin rreth përputhshmërisë me Aktin e Praktikave të Korruptimeve të Huaja gjatë operimit në Shqipëri. Raportet e korrupsionit në prokurimin e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (3P) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, duke përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave 3P janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata 3P deri në fund të vitit 2018", shkruhet në raportin e fundit të DASH.
Por nuk mjaftojnë vetëm këto kthetra, në fyt të biznesit të ndershëm. Krimi i organizuar i cili tashmë ka kapur qeverinë dhe e ka shndërruar vendin, siç thoshte më herët një raport tjetër i DASH, në “bazë operacionale” të trafikut ndërkombëtar të drogave të rënda e kanabisit, tashmë është kthyer në “biznesmen strategjik” dhe po shpëlan paratë e zeza në ekonominë shqiptare, duke i hequr çdo shans konkurrence të tjerëve.
Nga të gjitha këto është “frymëzuar” mjeshtri i karikaturës politike, Bujar Kapexhiu, në punën e tij të radhës botuar në Mapo.