Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Bashak kreu takime me strukturat e partisë në Kurbin. Ai theksoi se 30 qershori u braktis nga shumica absolute e qytetarëve.
“Kjo shumicë absolute është në radhë të parë, treguesi i vetëdijësimit të njerëzve se 30 qershori nuk bëhej për ta, por bëhej për Edi Ramën dhe një grusht banditësh dhe oligarkësh me të cilët sundon qeverinë”- u shpreh Basha.
Sipas Bashës edhe vetë socialistët e kanë braktisur partinë e tyre
“Po të heqim pjesëtarët e administratës, të cilët u sollën me forcë në proces dhe lanë në fletëvotime dëshmitë “më detyruan”, del se as 1 në 3 socialistë nuk u bë pjesë e kësaj farse.”- u shpreh ai.
Në takimin informal me strukturat e PD në Laç, kreu i opozitës theksoi gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve si arsyen e dytë të madhe për refuzimin e regjimit të Ramës.
“1 në 3 familje nuk mbyll dot muajin, me shpenzimet për ushqimet bazë. Papunësia ka arritur në shifra rekord dhe kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme për shumicën dërrmuese të shqiptarëve.”- argumentoi kreu i opozitës.
Lulzim Basha theksoi se refuzimi i Edi Ramës nuk do të kishte këto përmasa plebishitare, pa vendimet kurajoze të opozitës për përballje dhe djegien e mandateve, vendime që vranë frikën dhe zgjuan shpresën tek qytetarët.
“30 qershori është refuzim i Edi Ramës, është thirrje për ndryshim. Kjo thirrje i drejtohet para së gjithash Partisë Demokratike.” – nënvizoi kryedemokrati Basha i cili vuri në dukje se PD, ka pergjegjësinë t’i njohë shqiptarët, pa u lodhur, çdo ditë, me vizionin dhe programin e PD. “Refuzimi kombëtar i 30 qershorit është një përgjegjësi e madhe për ne, për ta kthyer këtë bashkim popullor në energjinë e ndryshimit politik dhe ekonomik që kërkon çdo shqiptar” theksoi lideri i opozitës në takimin me strukturat drejtuese të PD në Kurbin.