Me nota ironie, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ndërsa komenton aksionin e fundit të ndërrmarrë nga Edi Rama për kontrollin fiskal të biznesve të vogla, shkruan në një shënim në profilin e tij se Rama që sillet edhe si Drejtor i Përgjitshëm i Tatimeve, edhe si Kryeministër, edhe si Ministër i Jashtëm, kërcënon bizneset e vogla që mezi u bënë mbarë të punojnë këtë verë.
‘Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve njëkohësisht Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama kërcënon bizneset e vogla që mezi u bënë mbarë të punojnë këtë verë.
Ndërkohë e filloi këtë vit financiar me falje taksash për të mëdhenjtë.
E bëri me fuqi prapavepruese, pra në kundërshtim flagrant me Kushtetutën!!!
Dhe në kundërshtim edhe më flagrant me drejtësinë dhe barazinë para ligjit!
Sipas Edi Ramës ai që ka shumë paguan pak, ndërsa ai që ka pak paguan shumë.
E mbani mend se si na hapi trutë kur reklamonte taksën progresive?!
Me në fund, ju kujtoj se shumë prej këtyre bisneseve të vogla kontribuan edhe me 30 qershor për këtë sjellje të Edi Ramës.
Ta gëzojnë!’