'Aleanca', këmisha e hekurt që i duhet veshur Bashës

E Enjte, 25 July 2019 19:26

Nga Andi Bushati

Një grupim i vogël artistësh dhe qytetarësh, nga ata që me përbuzje Edi Rama i quan minoranca, ka përmbyllur sot një akt historik. Falë rrezistencës së tyre mbi dy vjeçare, duke sfiduar indiferencën e shumicës, tradhëtinë e miqve dhe kolegëve të blerë nga kllouni i bashkisë, duke këmbëngulur me vetëmohim, herë si heronj dhe herë si Donkishotë, ata e kanë detyruar opozitën politike në vend të përkulet përpara tyre.

Kontrata e fimosur sot mes Lulzim Bashës dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar është realisht një dokument i rëndësishëm.

 

Atë e bën të tillë fakti se PD dhe koalicioni i saj zotohen që një muaj pas marrjes së pushtetit, ta rikthejnë ish kompleksin “Skanderbeg”, në ansambël monument kulture; se ata zotohen ta financojnë rimëkëmbjen dhe shndërrimin në parametra optimalë të teatrit; se ata angazhohen të çojnë për ndjekje penale këdo që ka zhytur duart në këtë aferë të pisët 200 milionë euroshe, duke pasur si synim ngritjen e gjashtë rokaqiejve në zemër të Tiranës.
Por, përtej kontartës mes një grupi që mbron një kauzë dhe një force politike që synon pushtetin, marëveshja e kësaj të hëne përmbën edhe shumë mesazhe të rëndësishme.

Ajo e ka gozhduar një forcë politike të djathtë të vërë theksin te mbrojtja e publikes, tek ruajtja e pronës të përbashkët, tek interesi i bashkësisë para atij të individit që kanë qenë për tre dekada sistematikisht të nëpërkëmbura.
Ajo e ka detyruar atë të kërcënojë ligjërisht edhe ish klientë të saj të dikurshëm, si kompania Fusha, duke përforcuar kështu idenë se Edi Rama nuk mund të luftohet veçmas nga oligarkët e tij.

Ajo e ka shtyrë t’i shpallë luftë matrapazëve privatë që do të vazhdojnë të kryejnë veprimtari grabitëse nën ombrellën e kryeministrit.

Pra, kontrata e nënshkruar sot e ka bërë opozitën demokrate të thyejë dy tabu: Atë të prioritetit të privatit përpara interesit të bashkësisë dhe atë goxha të përhapur në radhët e saj, se nuk duhet të merremi personalisht me biznesin, sepse fajin e ka vetëm Rama.

Natyrisht, sado hapa të mëdhej përpara të përbëjnë krisjet e këtyre tabuve, sado të mirëpritura të jenë angazhimet për dëgjimin e zërit të publikut, për përfshirjen e grupeve të interest në vendimmarrje, për konfiskime pasurish, për një sistem zgjedhor më përfaqësues, për një kushtetutë më kontrolluese (të gjitha në kontratë) gjithnjë do të ketë qytetarë skeptikë që do të shohin tek nënshkrimi i sotëm vetëm një copë letër.

Dhe me të drejtë.

Kujtesa e zhgënjimit nga opozitat që rikthehen në pushtet është epokale. Nëse Fatos Nano i riktheu në qeveri ish ministrat që luftoi si të korruptuar në katharsis, nëse Sali Berisha e bëri klientin numër një Rezar Taçin që e antemonte si kontrabandist, nëse Edi Rama i emëroi kryebashkiakë, snajperët e grupit të zjarrit në 21 janar, gjithëkush është në të drejtën legjitime për të mosbesuar.

Në këtë kuptim të drejtë kanë vetëm ata –mes tyre edhe unë- që e shohin zgjidhjen tek shporja e kësaj klase politike përmes lindjes së forcave të reja.
Por, deri sa kjo të ndodhë, deri sa ata që mendojnë kështu të përbëjnë një shumicë, rruga e vetme është trysnia dhe presioni ndaj aktorëve që janë në lojë.

Pikërisht këtë kreu sot Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Sipas një propozimi të studiuesit Aurel Plasari, që gjatë gjithë kësaj krize nuk ka mbajtur vetëm peshën e eruditit, por edhe aksionin e një vizionari, ajo e uli Lulzim Bashën në tryezën e një angazhimi.

Pra, jo më në deklarata mitingjesh: “Kur të vi unë në pushtet…” që më pas fshihen apo myken në arkiva, por në një kontratë precize anagazhimesh të shkruara.

Dhe kjo është në fakt rruga e duhur e gjithë atyre që nuk e shohin dot më me sy pushtetin makut të Edi Ramës, por që nuk i ngjall shpresë as rivali i tij. Ata duhet të marrin shembull nga “Aleanca…”. Ata paralel me betejën ndaj pushtetit të sotëm duhet të shtrëngojnë një këmishë të hekurt ndaj atij të nesërm. Ta bëjnë të përulet dhe përbetohet se do të mbrojë interesin publik (Basha e përmendi vetëm sot mbi dhjetë herë), se do të shkatërrojë oligarkët, se në vend që të ëndërrojë si do t’i rekrutojë nesër, të mendojë se si do të ndahet përgjithnjë me ta.

Shiritin e fillimit të kësaj rruge e prenë sot një grup i vogël artistësh dhe qytetarësh të angazhuar. Megjithëse shpesh të mpakur dhe të braktisur, ata dëshmuan se kokfortësia në kauza të drejta është shumë shumë më e rëndësishme se pesha e numrave. Sikur të tjera grupe dhe vatra interesi të këmbëngulnin në të njëjtat parime, me siguri që shumë shpejt do të kishim një Shqipëri më të mirë./Lapsi.al/

Modifikuar më E Enjte, 25 July 2019 19:41
Login to post comments