Njësoj si Gjykata Kushtetuese, me shkarkimin e Xhezair Zaganjorit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, tashmë u shkri edhe Gjykata e Lartë. Aktualisht, i vetmi gjyqtar i lartë, edhe pse i ka përfunduar mandati, është Ardian Dvorani, i cili njëkohësisht qëndron edhe në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Deri në momentin e emërimit të kryetarit të ri të Gjykatës së Lartë, Dvorani merr kompetencat e përkohshme të kryetarit. Sipas një ndryshimi ligjor të vitit 2013, kjo Gjykatë duhet të ketë 19 anëtarë. Përpara nisjes së procesit të vetingut, 5 nga gjyqtarët e lartë dhanë dorëheqjen, pasi kishin mbushur vitet e mandatit në detyrë, ndonëse ligji parashikon se ata mund të qëndrojnë deri në momentin e zëvendësimit, ashtu sikurse është rasti i Ardian Dvoranit.
Këtij të fundit, mandati i ka përfunduar në vitin 2014, megjithatë po qëndron në këtë detyrë derisa të zëvendësohet. Mes 9 anëtarëve të mbetur, vetëm 4 prej tyre i rezistuan fazës së parë të vetingut, deri me shkarkimin fillimisht të Edmond Islamajt, ndërsa dje edhe kryetari i Gjykatës, Xhezair Zaganjori. Të vetmit që kaluan me sukses vetingun ishin Mehdi Bici, që u largua pasi u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ardian Dvorani, i cili aktualisht është në krye të KED-it.
SHKARKIMI I ZAGANJORIT
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, u shkarkua dje nga detyra, me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Më 24 korrik të vitit 2018, Zaganjori e kishte kaluar procesin e vetingut, duke u rikonfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Atë kohë, KPK-ja vlerësoi se kreu i Gjykatës së Lartë pati bërë deklarime të pasakta të pasurisë dhe kontrata fiktive, por ai u mbrojt duke thënë se kontratat ishin formale për pronën dhe brenda ligjit.
Megjithatë, KPK-ja e konfirmoi në detyrë, vendim që u kundërshtua nga Komisioneri Publik, i cili e ankimoi çështjen në KPA. Dje Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e tij, duke dhënë edhe argumentet. Në momentin që KPA-ja dha vendimin, Zaganjori nuk ishte i pranueshëm në sallë.
Sipas KPA-së, kryetari i Gjykatës së Lartë nuk mbulon pasurinë me burime të ligjshme dhe ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë. Në lidhje me shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tij jashtë shtetit, gjyqtari nuk justifikon shumën e shpenzimeve.
GJYQTARET E PERKOHSHEM
Prej afro një viti, Gjykata e Lartë praktikisht ka qenë jashtë funksionit, duke kryer vetëm detyrimet emergjente për raste ekstradimesh dhe transferimesh jashtë vendit. Prej disa muajsh nuk mund të kryente dot më as këto funksione, pasi trupa nuk mund të formohej. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të reagojë ndaj kërkesës së drejtuar nga Gjykata e Lartë për caktimin e gjyqtarëve për të gjykuar 4 çështje, që kanë të bëjnë me ekstradimin e shtetasve shqiptarë për në vendet e tjera. Sipas shortit të organizuar në mbledhjen e Këshillit, u caktuan për të gjykuar pranë Gjykatës së Lartë dy gjyqtarë të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Albana Boksi dhe Sokol Binaj. Këta do të plotësojnë trupën gjyqësore, e cila do të gjykojë çështjet e ekstradimeve.ETLEVA DELIA/ Panorama