Ndarja e Shqipërisë në rajone, një ëndërr serbe për të na e bërë vendin të paqeverisshëm

Diel, 28 July 2019 14:10

 Nga Ilir Nikolla

Rajonalizimi i Shqipërisë është një gjëmë që Edi Rama po kërkon t’ja imponojë vendit, me ndihmën e “opozitës parlamentare”, si një hipotekë për vjedhjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kurdo që ato të bëhen, dhe si një monedhë shkëmbimi, që mund ta lëshojë, vetëm me kushtin që të pranohet pazari, tashmë i nënshkruar, për shkëmbimin e territoreve në Ballkan. Teza nuk është e re, por nevoja për të arritur një konsensus prej 94 votash e kishte detyruar Ramën ta mbante projektin në surdinë, por nga zemra nuk e nxori asnjëherë. Qysh me ardhjen në pushtet, ai bëri pa konsensus reformën territoriale, largoi njëherë e mirë votuesin nga pushteti vendor dhe hodhi formalisht në qarkullim tezën e ndarjes së Shqipërisë në 4 rajone, nëpërmjet një ojq-je pranë tij. Ai ia arriti zvogëlimit të numrit të bashkive, duke pasur të bëjë tashmë vetëm me 61 pashallarë, bajraktarë të rinj në njëfarë mënyre, dhe tashmë, me urgjencën e përfaqësimit, po mendon se ka ardhur koha për hapin e mëtejshëm, atë të paimagjinueshmin, ndarjen e Shqipërisë në 3 rajone, një ide më shumë se federative, gati konfederative, duke rrënuar përfundimisht kohezionin shoqëror dhe garancinë kushtetuese të shtetit tonë unitar.

Shenjat janë dhënë qartas pas 2017-s, sapo mori vetëm “tepsinë”, kur shkatërroi sistemin e drejtorive të Arsimit, Shëndetësisë, Pyjeve e Sportit në bazë të 12 prefekturave, duke i zvogëluar ato vetëm në 6 të tilla, të cilat u quajtën – vëreni – drejtori rajonale. Atë që kishte në dorë e vuri në zbatim, pa asnjë konsensus kombëtar, e ndau përfaqësimin e pushtetit në 6 rajone.

Faza e mëtejshme ka ardhur tani, është faza e organizimit elektoral të Partisë Socialiste, në 3 rajone – vëreni – në Jug, Veri, e rajonit qendror. Emra më retrogradë s’mund të gjente. S’është puna tek referencat gjeografike, sesa tek ringjallja e klisheve dhe e përpjekjeve për të kalcifikuar segregacionin që vihet re prej shumë vitesh në shpërndarjen e fondeve për zonat më të varfra të vendit. Kjo ndarje garanton rrënimin e barazisë së votës, thellon ndarjen mes zonave me burime natyrore por krejt të varfra, pa arsim cilësor e pa infrastrukturë moderne me zonën qendrore, ku është përqendruar pushteti i nomenklaturës. Duke llogaritur trashëgiminë e “zonës së parë operative”, planet në rrafshin politik janë bërë të qarta.

Por më të rrezikshme janë pasojat kushtetuese që bart kjo nismë e rrezikshme. Ndarja me 3 rajone, në një vend edhe ashtu të vogël, pa histori suksesi në ngushtimin e pabarazive sociale dhe në zbutjen e varfërisë, por me probleme të kohezionit kombëtar, për shkak të diktaturës 50 vjeçare komuniste, me shenja të qarta aparteidi ndaj një pjese të vendit, jomiqësore me atë pushtet, është një lëvizje, më e pakëta, në drejtimin e gabuar.

Estrada partiake e Edi Ramës, teksa drejton mbledhjet e rajonit Lezhë-Shkodër-Dibër-Kukës dhe njofton se duhet të bëhet spastrim i thellë në bashkitë që drejtohen sot e gjithë ditën nga opozita, nuk ka ndonjëfarë dallimi nga tezat politike që diktatori Hoxha i lexoi, pasi ia dorëzuan ideologët serbo-titistë, për kalimin e partizanëve mbi Lumin Shkumbin (lexo, nisjen e valës së spastrimeve ndaj atyre që cilësoheshin si armiq të partisë). Ajo që lexohet aktualisht, si një përpjekje e Edi Ramës për t’u futur elektoralisht në veri e për të çimentuar votën e oligarkisë, përmes jetësimit të një Kodi Zgjedhor që e ndan vendin në 3 zona të mëdha zgjedhore, është maja që duket e ajsbergut të dëmit që shkakton rajonalizimi i Shqipërisë.  

Pasojat janë për të gjithë botën shqiptare. Rajonalizimi i shtetit tonë do të nxirrte mbi fushë të gjitha idetë e vjetra të botës shqiptare për vetëqeverimin e saj mbi baza makrorajonesh, apo federatash. Nën tisin e kësaj ideje, s’bëjmë gjë tjetër veçse ushqejmë idetë e profilizuara prej shekujsh për shkëputjen nga harta e shqiptarisë të këtyre maksirajoneve. Humbjet e popullsive shqiptare në Toplicë e zona të tjera të Sanxhakut, në Plavë e Guci, Medvegjë e në zonat përreth Kumanovës, në Ohër, Sul e Çamëri, kanë qenë të lidhura bash me lehtësinë me të cilat janë trajtuar ndarjet periferike të trungut. Në këtë shtrat po bëhet edhe biseda e sotme miqësore Rama-Vuçiç, për shkëmbimin e territoreve, që në thelb konfirmon toptan idenë serbe se Kosova s’e jetësoi kurrë shtetësinë, e në një version më të gjerë, edhe tezën aktuale të diplomacisë serbe (kujtoni deklaratën shumë të re të kryeministres Brnabiç) se edhe Shqipëria, edhe pas 100 vjetësh shtet, ka ende probleme shtetformimi.

Ndarja në rajone e Shqipërisë s’bën gjë tjetër veçse rrënon trashëgiminë mbi 100 vjeçare të Shqipërisë si një shtet unitar, dhe njësoj si në reformën në drejtësi, krijon një shkretëtirë, mbi të cilën nesër s’mund të justifikohemi se s’na i mori mendja pasojat. Siç gjendemi sot pa Gjykatë Kushtetuese, nesër mund të hasim në pamundësi për të mbrojtur në terren të drejtat e komuniteteve fetare përshembull, apo në një përvetësim të burimeve natyrore vetëm të një rajoni. Varfëria, dallimet fetare a krahinore, diferencat kulturore do të bënin pjesën tjetër dhe 3 rajonet do të shndërroheshin në 3 feude, të cilat mund të varen direkt nga Padishahu i Tiranës, por kurrfarë kohezioni nuk do të garantonin. Për standardet e demokracisë në këtë skenar, as që ia vlen të flasim.

Pyetja pse Edi Rama lufton prej vitesh për ndarjen në rajone, bile në një ndarje në sa më pak rajone, duhet t’i shqetësojë vëzhguesit e jetës politike në vend. Kjo ëndërr e tij asnjëherë s’është testuar në asnjë fushatë elektorale, krejt njësoj si reforma në drejtësi, që s’u përmend në fushatën e 2013-s, por doli nga xhepi i vogël, si nevojë urgjente e Ramës, vetëm një vit më vonë. Njësoj duhet të shqetësohemi tani, kur për çështje kushtetuese, Edi Rama ka vendosur të konsultohet vetëm me buratinët e tij, në parlamentin e kukullave. Ndarja e Shqipërisë në rajone e bën vendin të paqeverisshëm dhe realizon një ëndërr të politikës së Beogradit, prandaj njësoj siç është krijuar një front mbarëkombëtar kundër shkëmbimit të territoreve, mobilizimi duhet të jetë i të njëjtit rrafsh edhe për këtë ëndërr të vjetër të Serbisë, e të re të Edi Ramës.

Login to post comments