‘Milot-Balldren’/ Meta zbulon skandalin korruptiv: Vlera u rrit fiktivisht me 52 mln euro

E Enjte, 08 August 2019 20:08

Presidenti Ilir Meta me dekretin e tij për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të koncensionit "Milot-Balldren" indirekt ka denoncuar dhe një skandal të frikshëm korruptiv nëpërmjet rritjes fiktivisht të vlerës së projektit me 52 milionë euro, nga varianti fillestar.

Konkretisht në argumentat e tij ligjorë, Kreu i Shtetit vë në dukje se: "Referuar shqyrtimit të dokumentave të procedurës së konkurrimi rezulton se vlera e parashikuar e projektit në bazë të studimit të fizibilitetit është 161,500,000 Euro pa TVSH, ndërkohë që vlera e ofertës së propozuar nga oferuesi i shpallur fitues ka qenë 217,318,500 plus TVSH".

Gjithashtu në arsyetimin ligjor që shoqëron dekretin, Presidenti Meta sqaron se:

 

Në Relacionin e Këshillit të Ministrave parashikohet se:

Oferta totale fillestare ekonomike e shoqërisë ishte 217,318,500 euro plus TVSH, shoqëria “ANK”, sh.p.k., ka marrë përsipër vlerën e 213,665,040 euro plus TVSH.

Në zbatim të kërkesave të V.K.M nr.634, datë 01.10.2014 dhe referuar dokumenteve standarde të konkurrimit, të publikuara në sistemin elektronik të Prokurimeve Publike, rezulton se nuk ka asnjë parashikim ligjor, ku të citohet rregulli se lejohet negocimi i ofertës së paraqitur nga ana e operatorëve ekonomikë konkurrues.  

Kjo është një shkelje flagrante e rregullave të konkurrimit në këtë drejtim dhe një mënyrë haptazi e kundraligjshme për të operuar në një sistem jashtë kuadrit ligjor rregullator, duke negociuar me kompaninë propozuese, çmimin apo terma të tjerë material që sipas rregullit janë pa negociueshme. 

Nga ana e Autoritetit Kontraktues, nuk është respektuar baza ligjore lidhur me veprimtarinë e kryer për negocimin e termave material të kontratës së koncesionit, duke shkelur parimin e sigurisë juridike dhe interesin publik në mënyrë flagrante.

Negocimi i kontratës koncesionare, përfshirë ofertën e propozuesve apo modelin financiar, pa patur një parashikim të qartë në dokumentat standard të garës, madje në kundërshtim të plotë me vetë parashikimin se oferta nuk mund të modifikohet, dhe nga ana tjetër pa patur një bazë ligjore specifike për ta realizuar këtë proces, cenon rëndë sigurinë juridike, cenon rëndë parimin e shtetit të së drejtës, duke shkelur nenin 4 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku parashikohet se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.

Duke vepruar në një terren të tillë, pa ligj dhe pa rregulla, Autoriteti Kontraktor dhe më pas Këshilli i Ministrave, i kanë ofruar Kuvendit të Shqipërisë, për miratim me ligj një Kontratë Koncesionare/PPP, e cila është formuar nën një vullnet të shtrembëruar, subjektiv dhe të pakontrolluar në të gjitha dimensionet e tij, ekonomike, financiare, etj. 

Këtu nuk bëhet fjalë për shkelje të ligjit dhe rregullave të konkurrimit, por anashkalim haptazi i çdo norme ligjore në fuqi me qëllim nënshkrimin e një kontrate koncesionare, përtej rregullave dhe ligjit, duke synuar që çdo paligjshmëri të amnistohet nga Kuvendi, me miratimin e kësaj kontrate me një akt ligjor, në mënyrë që ajo, në çdo kohë të quhet e ligjshme dhe të jetë e pakontrollueshme dhe askush të mos përgjigjet për shkeljet e kryera në këtë proces.  

Kjo bindje krijohet edhe për faktin se Këshilli i Ministrave, më datë 27.03.2019, pra në të njëjtën datë me nënshkrimin e Kontratës Koncesionare/PPP, me propozimin e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar VKM nr. 174, datë 27.03.2019 “Për një ndryshim në VKM nr.634, datë 01.10.2014, nëpërmjët të cilit ka ndryshuar pikën 5, të nenit 34 të kësaj VKM-je me këtë përmbajtje:

“5.Kontrata e koncesionit/PPP do të hyjë në fuqi pas miratimit me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë.”. 

Pra, duket qartë se Këshilli i Ministrave për t’i dhënë një mbrojtje këtij procesi të paligjshëm dhe për të shmangur çdo përgjegjësi miratuese të Këshillit të Ministrave, përveç se ka nënshkruar një Kontratë Koncesionare/PPP në të njëjtën datë 27.03.2019, ka miratuar një rregull të ri, për t’ia kaluar përgjegjësinë Kuvendit, me qëllim amnistimin e gjithë procesit të zhvilluar në paligjshmëri të plotë.

Referuar relacionit shoqërues të ligjit nr. 52/2019, rezulton se vlera totale që shteti shqiptar duhet të paguajë në përfundim të kësaj kontrate është 213,665,040 euro plus TVSH.

Ndërkohë, referuar dokumenteve standarde të publikuara në sistemin elektronik të Prokurimeve Publike rezulton se: vlera e parashikuar e projektit në bazë të studimit të fizibilitetit është: 161,500,000 Euro.

Presidenti i Republikës i ka drejtuar një kërkesë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar ku, ndër të tjera, ka kërkuar informacion nëse Autoriteti Kontraktor ka kryer një studim krahasimor nga ku të ketë rezultuar si ekonomikisht më e favorshme dhënia e kontratës me konçesion në raport me prokurimin publik. 

Në nenin 13 pika 4, gërma “ç” të  VKM nr. 634, datë 01.10.2014, parashikohet se Projekti trajtohet si produkt i autoritetit kontraktor dhe rezultatet e studimit të fizibilitetit duhet të tregojnë se dhënia e kontratës me koncesion/PPP është ekonomikisht më e favorshme se dhënia e saj me prokurim publik”:

Autoriteti Kontraktor nuk i ka kthyer përgjigje Presidentit të Republikës lidhur me këtë kërkesë deri në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 52/2019, çka provon bindjen se nuk ka një vlerësim të tillë të bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare.   

Referuar edhe raportit të Komisionit të Ekonomisë të datës 18.06.2019, rezulton se ky moment procedurial kaq i rëndësishëm e thelbësor për vijimin e procedurave të konkurimit nuk është prekur as formalisht dhe as materialisht nga komisioni, por ai është mjaftuar vetëm me citimin e një paragrafi duke përmendur se çmimet e referuara në kontratë janë në përputhje me çmimet e manualeve që përdor Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.  

Bazuar në sa më sipër, Presidenti i Republikës vlerëson se rezultati i këtij krahasimi ekonomik është thelbësor në vijimin e procedurave të dhënies me Koncesion dhe moskryerja e tij është një shkelje tjetër e rëndë në këtë proces.  

Presidenti i Republikës, nisur nga situata e parashtruar më sipër, shpreh hapur rezervat e tij lidhur me vlerën e publikuar të projektit, pasi nga autoriteti kontraktor do të duhej që të publikonte vlerën e plotë e tij, në mënyrë që çdo konkurrent tjetër të kishte mundësi të njihej me të dhe të kishte mundësinë të bënte një ofertë objektive, si dhe institucionet shtetërore të vlerësonin plotësisht implikimin financiar të këtij projekti koncesionar në Buxhetin e Shtetit.

Me formën dhe procedurën e ndjekur, Autoriteti Kontraktor nëpërmjet informacionit të publikuar, ka krijuar një percetim të rremë dhe të shtrembëruar për publikun apo për konkurrentët e tjerë të mundshëm të huaj apo vendas mbi vlerën e projektit, të cilët pasi janë njohur me vlerën fillestare 161,500,000 Euro kanë hezituar për të konkurruar, ndërkohë që, kompania që ka paraqitur propozimin e pakërkuar të këtij projekti i është dhënë e drejta më pas që të negociojë pikërisht çmimin, duke e rritur ndjeshëm atë në mënyrë të vazhduar!!  

Kjo veprimtari e Autoritetit Kontraktor krijon një situatë të cenimit të parimit kushtetues të konkurrencës së lirë dhe të ndershme dhe të barazisë përpara ligjit, me pasojë diktimin e kompanisë fituese dhe cenim të interesit publik dhe financave publike. 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...