Nesër është parashikuar konstituimi nga mazhoranca i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, por PD, dega Shkodër ka njoftuar se nuk do ta lejë një gjë të tillë.
Ata kanë lajmëruar nje protestë ditën e nesërme në orën 10. Sipas PD se nuk mund të pranohet konstituimi i një këshilli ilegjitim dhe aq më pak në rektoratin e Universitetit të Shkodrës duke kujtuar 2 prillin e 30 viteve më parë.
Njoftimi i PD-së, Shkodër:
Partia Demokratike, dega Shkodër ditën e nesërme në orën 10:00,para Prefekturës do të organizojë një protestë paqësore për mbrojtjen e vlerave të demokracisë e të dinjitetit tonë si qytetarë të Shkodrës.
Ne nuk duhet asesi të pranojmë konstituimin e një këshilli ilegjitim e aq më pak në rektoratin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Aty ku krejt pranë, 30 vite më parë jemi mbledhur të gjithë pa asnjë ndasi politike, të majtë e të djathtë për rrëzimin e regjimit komunist. Pikërisht vendin që me 2 Prill, 4 dëshmorët e Demokracisë e lanë me gjakun e tyre e ku qindra të tjerë u plagosën.
Rilindasit zgjodhën ish komitetin e partisë për të konstituuar këshillin ilegjitim vetëm për të provokuar qytetarët e Shkodrës. Ne nuk mund të pranojmë të jemi dëshmitarë të vendosjes së një tjetër regjimi.
I bëjmë thirrje Edi Ramës të mos luajë me zjarrin, të mos luajë me Shkodrën! Shkodra do të dijë sërish t’i dalë për Zot vetes.
Prandaj i ftojmë të gjithë të bashkohen me ne, për dinjitetin e qytetit tonë, për dinjitetin e Shkodrës !
#partiademokratikeShkoder #pd/