Ligji/ “Rilindja” uzurpoi këshillin bashkiak, por nuk e shkarkon dot Voltana Ademin

Hënë, 19 August 2019 17:48

“Rilindja” arriti të uzurpojë Këshillin Bashkiak të Shkodrës, në vijim të një procedure anti-ligjore, por nuk do të arrijë të gjejë asnjë mundësi zyrtare për shkarkimin e kryetares aktuale të Bashkisë, Voltana Ademi.

Prej ditësh, “burime” nga Partia Socialiste shpërndajnë në media skenarin, sipas të cilit, Këshilli Bashkiak do të deklarojë përfundimin e mandatit të Ademit dhe do të vendosë që funksionet t’i ushtrojë një prej nënkryetarëve, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri, pas dorëheqjes së fituesit të pamandatuar të votimeve të 30 Qershorit, Valdrin Pjetri.

Por ky “skenar” nuk mund të realizohet. Të paktën, nuk gjen mbështetje në asnjë prej akteve ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Fillimisht, duhet theksuar se votimet e 30 Qershorit u zhvilluan në mungesë të një dekreti presidencial për caktimin e datës së zgjedhjeve. Pra, i gjithë procesi i votimit është nul, por, gjithësesi, ky vendim pritet të merret pasi të konstituohet Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë, edhe në situatën aktuale, ku Partia Socialiste në maxhorancë njeh votimet e 30 Qershorit, sërish kjo forcë politike nuk mund ta shkarkojë kryetaren në detyrë të Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike.

Kushtetuta parashikon se kryetari i bashkisë ka mandat 4-vjeçar (neni 109/1/2). Ky nen zbërthehet gjerësisht në ligjin nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Neni 60 i këtij ligjiparashikon ndër të tjera se: “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”.

Pra, ligji nuk e lidh fundit e mandatit të kryetarit të bashkisë me afat kohor eksplicit 4-vjeçar. Ligji parashikon se kryetari qëndron në detyrë, derisa pasardhësi, i zgjedhur ligjërisht, të bëj betimin dhe të marr postin.

Në situatën aktuale, Shkodra nuk ka një fitues që pret të marrë mandatin e kryebashkiakut. Valdrin Pjetri, i cili u shpall fitues në votimet mono-partiake të 30 Qershorit, dha dorëheqjen nga marrja e mandatit, pasi Partia Demokratike i zbuloi të kaluarën e tij kriminale në Itali.

Ligji për “Vetëqeverisjen vendore” njeh vetëm mbarimin e parakohshëm të mandatit të kryetarit të bashkisë. Sipas nenit 61 të tij, “mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari: nuk pranon të bëjë betimin; jep dorëheqjen; nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur; shkarkohet, sipas nenit 62 të këtij ligji; kandidon për deputet; humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë; vdes”.

Nga të gjithë kushtet e mundshme të parashikuar në nenin 61, të vetmin që mund të aplikojë Këshilli Bashkiak i Shkodrës për largimin e Voltana Ademit nga detyra është “shkarkimi sipas neni 62 të ligjit”.

Por, aplikimi i këtij neni (62) kërkon plotësimin e disa kushteve të tjera. “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve; dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata; propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”.

Pra, Këshilli Bashkiak i uzurpuar së fundmi, duhet të presë, shpresojë apo sajojë:
– shkelje të Kushtetutës apo të ligjeve nga ana e Voltana Ademit, të cilat, gjithësesi duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese;

– dënimin e Voltana Ademit me një vendim të formës së prerë për kryerjen e ndonjë vepre penale. Edhe sikur të sajohet ndonjë akuzë penale, këshilltarët bashkiakë të sapo zgjedhur duhet të presin shumë kohë deri në dhënie vendimi përfundimtar.

– mos-paraqitjen në punë për më shumë se 3 muaj të Voltana Ademit. Këtë të fundit nuk e kanë në dorë këshilltarët e rinj.

Login to post comments