Kryet nalt! Ademi i jep mesazh të fortë me video Ramës për 'Shkodrën dhe shkodranët'

Premte, 23 August 2019 10:19

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi i ka përcjellë një mesazh të fortë me video, kryeministrit Edi Rama dhe opinionit, brenda dhe jashtë vendit sot, në Ditën Europiane për Kujtimin e viktimave të të gjitha regjimeve totalitare.

“Kryet nalt” titullohet videoja e publikuar prej saj, dokumentar kushtuar klerikut të shquar shkodran Hafiz Ali Kraja, kalvarit të gjatë të persekutimeve, që nga internimi prej fashistëve italianë, përndjekja ndaj tij dhe familjes prej komunistëve dhe vuajtjet për 18 vjet, në kampet e punës e burgun e Burrelit.

Ai qe një prej klerikëve më të mençur e mendjehapur të Shqipërisë, një patriot, dijetar dhe personalitet me kulturë të gjerë, që gëzonte respekt jo vetëm në qytetin e Shkodrës e në rrethin e muslimanëve, por në të gjithë Shqipërinë dhe nga të gjithë besimet. Por..."Kohët e errëta nuk zgjasin përgjithmonë, njerëzit e ndriçuar jetojnë përgjithmonë me kryet nalt!" - ky është mesazhi që ka përcjellë Ademi, jo më kot, prej këtij dokumentari.

Dhe në vijim, kryebashkiakja e Shkodrës lë këtë shënim:

“Për 45 vite Shkodra dhe shkodranët vuajtën persekucionin dhe dhunën e pashembullt të një regjimi diktatorial- stalinist në zemër të Europës.

Shkodra dhe shkodranët nisën të parët në Europë rezistencën kundër kësaj bishe që nuk kursente askënd, nga foshnjat në barkun e nënës deri tek tek të moshuarit.

Shkodra dhe shkodranët, përmes sakrificave të jashtëzakonshme, ishin shembull për të gjithë shqiptarët në këtë përballje të pabarabartë me shtetin diktatorial.

Shkodra dhe shkodranët janë përsëri të parët sot për t’i prerë rrugën dëshirave perverse të individëve që tentojnë të rikthejnë në vendin tonë sistemet monisto- diktatoriale.

Sot është Dita Europiane për Kujtimin e Viktimave të të gjitha Regjimeve Totalitare.

Shkodra dhe shkodranët kujtojnë vuajtjet e sakrificat, të rënët dhe ata që mbijetuan. Shkodra dhe shkodranët janë krenarë për të djeshmen dhe të sotmen!” përfundon Voltana Ademi.

Login to post comments