Partia Demokratike ka vijuar akuzat në adresë të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Ashtu si në letrën e dërguar, Prokurorisë, PD është shprehur përmes Sekretarit për Çeshtjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata, se Kajmaku është i dënuar nga shteti grek.
Gjata është shprehur nga selia blu se kryebashkiaku i Vorës, është dënuar dhe dëbuar nga shteti helen për vepra të rënda penale dhe se për këtë arsye ai duhet të japë dorëheqjen.
Gjata ka theksuar se në lidhje me problemet e Kajmakut me drjtësinë greke, është në dijeni dhe kryeministri Edi Rama, cili sipas tij, po e mbron kryebashkiakun.
“Valdrin Pjetri, kandidati trafikant i Ramës dhe Doshit, nuk është rast i izoluar. Një pjesë e kandidatëve të Ramës kanë probleme me drejtësinë, për shkak të së shkuarës kriminale apo të lidhjeve me krimin. Rama i promovon dhe iu jep mbështetje. Rama e di që dhe Agim Kajmaku i Vorës ka probleme me drejtësinë. Ai duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Rama dhe Balluku e dinë se ai ka probleme me drejtësinë greke. Rama po përpiqet të blejë kohë për kriminelin tjetër që i është zbuluar. A është dënuar, dëbuar, arrestuar dhe shpallur në kërkim në Greqi për vepra të rënda penale dhe a e ka fshehur këtë Agim kajmaku? Ata duhet t’i thonë shqiptarëve të vërtetën. Do ketë vetëm një përfundim, Rama do largohet me turp si kryeministri që ka vetëm një ofertë për shqiptarët: krimin dhe bashkëpunimin me të”, deklaroi Gjata.