Dosja 184', gazetarja e njohur: Arta Marku duket se fshihet pas gishtit

Premte, 23 August 2019 18:17

Gazetarja investigative Klodiana Lala, e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” komentoi transferimin e dosjes së famshme “184” nga Prokuroria e Krimeve të Rënda tek ajo e rrethit gjyqësor Dibër.

 Dosja në fjalë mbart zyrtarë të lartë të shtetit duke biseduar për shit-blerje votash në Dibër, për zgjedhjet e mbajtura më 2016.

Sipas Lalës, dosja është voluminoze dhe se Prokuroria e Dibrës nuk ka kapacitet për ta hetuar atë.

“Prokuroria duhet të japë shpjegime se pse dosja po kalon nga një institucion në tjetrin. Dosja ka kaluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Dibrës. Pra ka kaluar nga një Prokurori serioze në një tjetër prokurori. Kalimi në kompetencë e Prokurorisë së Dibrës tregon se nuk është serioze. Ka probleme, sepse një nga prokuroret ka lidhje familjare me Arben Keshin, ka konflikt interesi. Si mund të hetojë Prokuroria e Dibrës, kur ata që kanë dalë në përgjime janë zyrtarë të lartë në polici dhe në institucionet lokale. Është një Prokurori e vdekur, e cila mezi heton ata që presin pyjet. Nuk ka forcën Prokuroria e Dibrës që të hetojë një dosje kaq voluminoze. Fakti që është emri i Kryeministrit në atë dosje, në një rreth të vogël, në një qytet të vogël si Peshkopia, kur të gjithë njohin të gjithë”, është shprehur gazetarja.

Ajo shtoi se në përgjime duket qartë presioni që zyrtarët e lartë lokalë dhe në Tiranë ushtrojnë mbi mësuesit, teksa i marrin ata me lista.

“Në dosjen 184 janë përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit. Kujtojmë se zgjedhjet në Dibër janë rimbajtur, pas skandalit seksual të Shukri Xhelilit. Për Bashkinë e Dibrës kandidonte Muharrem Rama nën siglën e PS. Eksponentë të lartë të Partisë Socialiste, ministra, ish-minustra, deputetë dhe ish-deputetë, ku përfshihet dhe vetë kryeministri. Kemi të bëjmë me presion ndaj mësuesve dhe në arsim për votat, siç e kemi parë, ndërsa kryeministri Rama i kërkonte një drejtuesi policie sesi “kanë shkuar punët”. Dosja 184 është tipike e shit-blerjes së votave”, deklaroi Lala.

Gazetarja Klodiana Lala u shpreh se edhe prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku duket se fshihet pas gishtit.

“Zonja Marku fshihet pas gishtit. Ligji thotë se kur ka “përplasje” për kompetencë për një dosje, mund ta marrë prokurori më i lartë. Prokurori Klodian Braho vendosi të heqë veprën e organizatës kriminale. Prokurori i Përgjithshëm duhet ta dërgonte te Krimet e Rënda. Do të duhej të dilte mbi vendim-marrjen e prokurorit. Marku është përgjegjëse për “lëvizjen” e dosjes nga Tirana në Dibër.

Është kaq e pamundur për Krimet e Rënda që të zbardhë këtë dosje, e cila është një prokurori serioze në krahasim me prokuroritë e rretheve. Prokurorët bëjnë ping-pong, duke mos dashur ta mbajë askush, nuk ka prokuror fare. Ka 3 vjet që rri si dosje në Prokurori. Zonja Marku sa duket duke e çuar në Dibër tregon se duan ta pushojnë. Nuk duan ta hetojnë. Nëse as prokurorët e tjerë nuk e marrin përsipër këtë dosje, duhet KLP të ndërhyjë ose ta marrë përsipër SPAK. Kemi sot Prokurori të ndikuar politikisht.”, tha ndër të tjera Lala.

Login to post comments