Në një intervistë për Syri TV, nënkryetari i PD Edmond Spaho teksa komentoi aktualitetin politik në vend, është shprehur se kryeministri Edi Rama ka ardhur dhe qëndron në pushtet falë lidhjeve me krimin.
“30 qershori tregoi se kjo mazhorancë është e paaftë të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme, përndryshe do të binte nga qeveria.
I vetmi mekanizëm me të cilin Rama ka ardhur në pushtet është lidhja me krimin. Ne do të vazhdojmë aksionin tonë politik dhe pushtetit të Ramës shumë shpejt do ti vijë fundi. Gjatë muajve të ardhshëm do të ushtrojmë presion që kjo qeveri të bjerë dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme me anë të një qeverie tranzitore”, deklaroi nënkryetari i PD.
I pyetur nga gazetarja Ambrozia Meta lidhur me vizitën e Zëvendës kryetares së Grupit Parlamentar të CDU/CSU, deputeten gjermane Katja Leikert, , Spaho është shprehur se PD është e hapur ndaj çdo ndërmjetësimi ndërkombëtar.
“Shqipëria ka shumë miq të huaj që janë të interesuar që kjo krizë politike të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi shprehur në favor të çdo ndërmjetësimi ndërkombëtar që mund të garantojnë që vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme pa Ramën në qeveri dhe parakusht të jenë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Spaho. /Syri.net