Vendimi i Këshillit të Ministrave, që mban datën 12.06.2019, i ka dhënë sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave kompetencat e ministrit të Jashtëm në lidhje me dhënien e pasaportave diplomatike dhe ato të shërbimit.
VKM-ja i është shpërndarë deputetëve të kuvendit për t’u njohur me të, ndërsa aneksi i tij hedh dritë mbi kompetencën e re të sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë.
“Funksionarët dhe nëpunësit publikë, me autorizim të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, për shkak të specifikës së funksionit apo detyrës shtetërore që kryejnë”, thuhet në aneksin e VKM-së në fjalë, shkruan Panorama.
Por, vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave në lidhje me të drejtën e mbajtjes së pasaportave diplomatike, përjashton nga kjo e drejtë kryetarin e opozitës dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Në vitin 2013, pas ardhjes në pushtet të mazhorancës së majtë, kryetarit të opozitës iu dha statusi protokollar i ministrit, që nënkuptonte trajtimin e tij njëlloj si ministrat, në trajtimin që përfaqësitë tona diplomatike jashtë vendit, duhet të kishin ndaj tij.
Vendimi i fundit e pajis kryetarin e opozitës njëlloj si kryetarin e çdo partie politike me pasaportë shërbimi.
Po ashtu, edhe çdo kryetar bashkie, përfshirë dhe kryetarin e bashkisë më të madhe në vend, Bashkisë së Tiranës, pajiset vetëm me pasaportë shërbimi.
Ajo që vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave për dhënien e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit sjell si risi, është përjashtimi nga pasaporta diplomatike i të gjithë ish-ministrave të Jashtëm. Bëhet fjalë për ata që nuk janë më deputetë, sepse deputeti automatikisht pajiset me pasaportë diplomatike.
“Në rastin kur mbajtësi i pasaportës diplomatike apo të shërbimit lë funksionin për të cilin është pajisur me këtë pasaportë, ajo duhet të dorëzohet brenda 45 ditëve kalendarike pranë ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme, me përjashtim të rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe”, thuhet në pikën 3 të kësaj VKM-je.
“Subjektet që janë pajisur me pasaporta diplomatike apo shërbimi përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kanë të drejtë të përdorin pasaportat përkatëse deri në datën 31 dhjetor 2019”, thuhet në pikën 14 të VKM-së.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, pak ditë para miratimit të kësaj VKM-je në qeveri, njoftoi largimin dhe transferimin e 50 diplomatëve shqiptarë. Cakaj u shpreh në një deklaratë për mediat se vendimi ndaj tyre hynë në fuqi menjëherë.
“Arsyet për lëvizjen e tyre nuk janë të njëjta, pasi disa prej tyre janë larguar për shkaqe disiplinore, të tjerë për tejkalim të kompetencave dhe të tjerë për shpërfillje të detyrave”, tha asokohe ministri.
Cakaj njoftoi gjithashtu se 80 për qind e stafit të konsullatave të përgjithshme të Shqipërisë do të ndryshojnë.
JA PERSONALITETET QË PAJISEN ME PASAPORTA BIOMETRIKE DIPLOMATIKE:
Presidenti i Republikës
Ish-Presidenti i Republikës
Kryetari i Kuvendit
Ish-kryetari i Kuvendit
Kryeministri
Ish-Kryeministri
Bashkëshortja/i dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të:
Presidentit
Kryetarit të Kuvendit
Kryeministrit
Bashkëshortja/i e deputetit
Zëvendëskryeministri
Anëtarët e Këshillit të Ministrave
Deputeti
Zëvendësministri
Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së lartë
Drejtuesi dhe anëtarët e KLGJ
Drejtuesi dhe anëtarët e KLP
Kryetari dhe anëtarët e KED
Inspektori i Lartë i Drejtësisë
Komisionerët publikë
Kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit
Kryetari dhe anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit
Avokati i Popullit
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit
Kryetari e anëtarët e KQZ
Drejtuesi dhe anëtarët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK
Prokurori i Përgjithshëm
Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Kuvendit, Kryeministrisë
Drejtori i kabinetit në Presidencë, Kuvend, Kryeministri dhe ministrinë përgjegjëse për Punët e Jashtme
Këshilltarët në kabinetin e Presidentit, Kuvendit Kryeministrit në rastet kur janë të ngarkuar me çështje diplomatike dhe protokollare, jo më shumë se tre këshilltarë nga çdo institucion
Këshilltarët e ministrit përgjegjës për punët e Jashtme, kur janë diplomatë karriere
Kryetari dhe nënkryetari i SHISH
Drejtori i Përgjithshëm i DSIK-së
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Personeli diplomatik i shërbimit të Jashtëm dhe familjarët e tyre
Funksionarët ndërkombëtare, përfaqësues ose anëtarë të organizatave ndërkombëtare me shtetësi shqiptare, të emëruar ose të kandiduar nga shteti shqiptar
Avokati i Përgjithshëm i Shtetit
Oficeri i Ministrisë së Mbrojtjes, përfaqësues i Republikës së Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare dhe familjarët e tyre
Oficer kontakti pranë ministrive homologe të shteteve të tjera, institucioneve ndërkombëtare si dhe të atashuar pranë misioneve diplomatike dhe familjarët e tyre
Korrieri diplomatik
Komandanti i Gardës së Republikës
Truproja për sigurimin e Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit
Personat që me ligj të posaçëm gëzojnë të drejtën të pajisen me pasaportë diplomatike
Funksionarët dhe nëpunësit publikë, me autorizim të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, për shkak të specifikës së funksionit apo detyrës shtetërore që kryejnë