Zbardhet takimi i Kryemadhit me zyrtarin e DASH, bisedohet për zgjedhjet dhe tetorin

E mërkurë, 04 September 2019 18:14

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi priti në një takim në selinë e LSI drejtorin e ri për Europën Qëndrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik.

Burime zyrtare nga zyra e shtypit e LSI bënë me dije se Kryemadhi i shprehu Kostelancik vlerësimet më të larta për bashkëpunimin strategjik me SHBA dhe e falenderoi për mbështetjen ndër vite që SHBA ka dhënë për progresin demokratik të Shqipërisë, si dhe mbështetjen e veçantë për anëtarësimin në NATO dhe rrugëtimin e vendit tonë drejt Bashkimit Europian.

“Shqipëria ka nevojë kritike për hapjen e negociatave në tetor. Hapja e negociatave është e kushtëzuar vetëm me zgjedhje të lira e të ndershme. Për këtë arsye, zgjedhjet duhet të zhvillohen sa më parë dhe me standarte, pasi kjo është e vetmja rrugë për integrimin europian të Shqipërisë”, u shpreh kryetarja e LSI Monika Kryemadhi në lidhje me krizën aktuale politike e institucionale që ka përfshirë vendin.

“Duke e falenderuar për vizitën në Shqipëri, Znj. Kryemadhi i ritheksoi Z. Kostelancik bindjen e LSI-së për të vijuar raportet e ngushta të bashkëpunimit me SHBA, si aleate e patjetërsueshme për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë dhe të rajonit”, thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit të LSI-së.

Zyrtarti i DASH është takuar më herët dhe me kreun e PD-së Basha dhe përfaqësues të mazhorancës. Pritet një takim i tiji me kryeministrin Edi Rama. Kostelancik po zhvillon bisedime me palët politike lidhur me krizën në vend.

Login to post comments