Të gjithë presin me padurim ngritjen e SPAK-ut dhe “ushqimi” (skandalet) për prokurorët, që SHBA po i premton se do të godasin zyrtarët e lartë, po shtohen dita ditës. OSBE/ODIHR i serviri SPAK-ut në pjatë, të gatshme, dosjen më të madhe të krimit elektoral të bërë nga një qeveri.
Veç raportimi për shumë shkelje ligjore nga qeveria dhe KQZ ka kritikuar ashpër edhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor. Raporti thotë qartë se gjyqtarët e këtij Kolegji kanë qenë të ndikuar politikisht ose të frikësuar nga Vettingu në vendimin që kanë dhënë për datën e zgjedhjeve dhe dekretin e kreut të shtetit. Po kush i ndikoi gjyqtarët dhe me çfarë i joshi apo shantazhoi. Sigurisht që i shantazhoi apo joshi kreu i qeverisë Edi Rama. Ja ku një dosje e gatshme është mbi tavolinën e SPAK-ut.
Gjithashtu raporti i OSBE/ODIHR evidentoi parregullsitë e mëdha të nisura dhe bitisura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“KQZ interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në një mënyrë tepër të zgjeruar, duke ulur sigurinë juridike”. Një konstatim të drejtpërdrejtë ODIHR e bën edhe lidhur me mospranimin e komisionerëve të opozitës. “Disa bashkëbisedues të MVZ të ODIHR shprehin shqetësime për mungesën e paanshmërisë së KQZ-së, duke treguar raste kur shumica e anëtarëve të KQZ-së votuan përgjatë linjave partiake”-thuhet në raport.
Paligjshmëria e KQZ-së vijon edhe me procesin e numërimit dhe në fund edhe shtimit fiktiv të pjesëmarrësve në votime. Katër anëtarët e KQZ-së përfaqësues të Partisë Socialiste u treguan kamikazët e procesit. Mbi ta është Denar Biba, nënkryetar i KQZ-së dhe militant i thekur i Ramës. Por kjo s’do të thotë që SPAK nuk duhet ta marrë si të pandehur.