Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një konferencë shtypi tha se Presidenca do të bashkëpunojë gjerësisht me Komisionin e Venecias.
Meta bëri me dije se do të jetë prezent në mbledhjen e Komisionit të Venecias, duke theksuar se do t’i japë përgjigje çdo lloj pyetje nga anëtarët e komisionit.
“Dua të falënderoj Kuvendin e Shqipërisë për këtë respekt dhe besim që tregon ndaj Komisionit të Venecias, dhe tju bëj të ditur se bashkëpunimi i Presidentit me këtë Komision do të jetë jashtëzakonisht i shkëlqyer dhe transparent.
Në respekt të punës që ata kanë nisur, deri në 11 tetor u kemi dhënë një raport paraprak, lidhur me disa pyetje që Kuvendi ka drejtuar lidhur me përgjegjësitë e Presidentit.
Këto dokumente do të jenë publike në faqen zyrtare të Presidentit, do të jetë i hapur për kontribute, për tu pasuruar me kritika apo ide, sepse kemi të bëjmë me një çështje shumë të rëndësishme në fushën e të drejtës, që do të studiohet edhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe unë jam përgjegjës.
Sfide që unë e mirëpres dhe sjell një ndërkombëtarizim të një çështje nga Kuvendi i Shqipërisë, por si një President tepër i bindur se është një shërbim i jashtëzakonshëm për demokracinë në nivele evropiane, këtë punë do ta bëj në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kam shprehur gatishmërinë për të qenë i hapur në 11 tetor për çështjen në fjalë
11 tetori është datë jo e rëndësishme për Shqipërinë, sepse shqiptarët e dinë që presidenti s’ka bërë shkelje të kushtetutës, përkundrazi, por kuptohet se çdo përpjekje për të sajuar një datë si fokus propagande, është lëvizje dëshpëruese për të shmangur datën më të rëndësishme, që është 18 tetori. Ndaj ftoj të merreni me 11 tetori, por aq sa duhet, por të merren të gjithë me 18 tetorin”, theksoi Meta.