Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i ftuar në Ora News, ka komentuar ndër të tjera edhe deklaratën e Presidentit se gjatë protestave të opozitës ka pasur informacion se do të digjej Kuvendi.
Sipas numrit dy të selisë blu, kjo akuzë e kreut të shtetit nuk është ndaj opozitës.
Bardhi deklaroi ndër të tjera se, opozita nuk ka patur asnjëherë qëllim që të dhunojë apo djegë institucionet.
“Ajo që garantoj unë në emër të PD është që nuk ka patur kurrë dhe nuk do të ketë kurrë asnjë jo përgatitje, por tentativë apo mendim për të djegur apo dhunuar institucione, përfshirë edhe Kuvendin. Përsa kohë unë nuk do të jetë lënduar një individ i vetëm nga opozita tregon që mund të ketë pasur episode që e kanë kaluar natyrën e një protestë normale, por në asnjë rast nuk ka pasur dhunë të organizuar nga opozita. Prandaj dhe deklaratën e Presidentit nuk e kemi marrë si akuzë ndaj PD. Presidenti ka më shumë informacion dhe kjo do të zbardhet në ditën në vijim”, është shprehur Gazment Bardhi.
Gjatë pjesëmarrjes së tij në Komisionin Hetimor Parlamentar, që kërkon shkarkimin e tij nga presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi ndër të tjera se, kishte marrë informacione të sigurta se, gjatë protestës së opozitës më 8 qershor, do të synohej edhe djegja e Kuvendit.