Pakt mes Ramës dhe Bashës? Paloka: Ja kush i përhap lajmet për marrëveshje të fshehta

Diel, 15 September 2019 13:13

Lajmin e rremë për një marrëveshje “të fshehtë” midis PD dhe PS (madje për një marrëveshje midis Bashës dhe Ramës), e përhapën me porosi disa prej shërbëtorëve të paguar mirë e të përdorur keq në media prej Ramës. Kështu shprehet n♪7nkryetari i PD-së, Edi Paloka, në një intervistë për Koha Jonë.

Nënkryetari demokrat shprehet i sigurtë se as nuk ka e as nuk do të ketë marrëveshje të tillë.

“Sigurisht që zgjidhja e krizës do të vijë dhe mund të vijë vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje midis palëve e për këtë ne kemi qenë mëse të qartë. Rama ka vërtetuar se është kryemanipulatori i zgjedhjeve në këtë vend.

Që prej zgjedhjeve të pjeseshme në Korçë e deri në farsën e fundit të 30 qershorit, Rama është kapur në flagrancë duke vjedhur e manipuluar votën e shqiptarëve. Për këtë arsye ne si opozitë kemi përcaktuar si kushte për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, dënimin e atyre që janë kapur në dosjet 184 dhe 339 si dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizonte zgjedhjet.

Reforma Zgjedhore, pa zgjidhjen e këtyre çështjeve, mbetet një problem fare periferik. Ata që kërkojnë të paraqesin si “zgjidhje” të krizës së Reformës Zgjedhore, në rastin më të mirë janë jashtë realitetit, janë në ajër.

Për tu kthyer me këmbë në tokë ju mjafton të lexojmë raportin e fundit të OSBE-ODIHR-it dhe përgjimet e dosjeve 184 dhe 339. Për fat të mirë, këto materiale janë edhe në anglisht.

Vetëm pasi të zgjidhen këto çështje mund të diskutohet dhe për Reformën Zgjedhore që kurresesi nuk mund të bëhet pa opozitën dhe këtu sigurisht nuk e kam fjalën për surrogatot e Parlamentit po për opozitën reale. Në rast të kundërt do kemi një akt tjetër të grushtit të shtetit dhe rikthimit të diktaturës në këtë vend”, thekson Paloka.

Login to post comments