Në një raport voluminoz prej 50 faqesh, Presidenti Ilir Meta ka dhënë të gjitha sqarimet për vendimin e tij për çdekretimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve lokale.
Një pikë “e nxehtë”, në të cilën Kreu i Shteti ndalet, është edhe mos hetimi i dy dosjeve të bujshme të shit-blerjes së votave dhe bashkëpunimit të politikës me bandat kriminale, ajo e Dibrës “184” dhe e Durrësit “339”. Në raport, Meta thekson se drejtësia shqiptare nuk hetoi dy dosjet e famshme dhe nuk çoi asnjë zyrtar para përgjegjësisë, duke thelluar kështu përplasjet politike.
“Nga materialet e publikuara, të rrjedhura në mediet shqiptare dhe ndërkombëtare, dilte në pah një skemë e mirëorganizuar, që lidhte zyrtarë të lartë të PS, përfshirë ministra të kabinetit qeveritar, kryetarë bashkish, oficerë të lartë të Policisë së Shtetit dhe nëpunës të tjerë të lartë civilë, të cilët bashkëpunonin me bandat famëkeqe kriminale (përfshirë në trafik ndërkombëtar droge) për manipulimin e rezultatit zgjedhor në favor të PS.
Këto të dhëna, edhe pse në dispozicion të Prokurorisë prej më shumë se dy vitesh, nuk i kishin vënë në lëvizje organet hetimore për të kryer veprime të mëtejshme ligjore. Asnjë prej autorëve, përfshirë eksponentë të lartë të mazhorancës socialiste, nuk u dërguan përpara përgjegjësisë penale”, thuhet në raportin e Metës, të cilin e ka diskutuar me anëtarët e Komisionit të Venecias.
Më tej, Kreu i Shtetit thekson se atmosfera u helmua edhe më shumë me përdorimin e gjuhës armiqësore dhe përçarëse nga të dy kampet politike, gjatë komunikimeve të tyre publike, ndërsa protestat e shoqëruan me akte dhune nga protestuesit, si dhe me reagime shproporcionale nga ana e Policisë së Shtetit.
“Protestat gjetën mbulim të gjerë mediatik kombëtar dhe ndërkombëtar, për shkak të intensifikimit të përplasjes që po shkonte drejt shpërthimit të një konflikti civil”, shton më tej Meta.