Presidenti Ilir Meta ka publikuar raportin shpjegues për Komisionin e Vencias, lidhur me dekretet e tij për shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale. Në një dokument publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i shtetit shpjegon arsyet e rrëzimit të 30 qershorit si datën e zgjedhjeve lokale dhe dekretimin e datës së re. Në dokument, jepen argumentet se ky akt i presidentit nuk ishte antiligjor dhe antikushtetues sikundër pretendon mazhoranca, e cila kërkon shkarkimin e tij.
****
Po kështu, mbrojtja dhe përparimi i interesave të përbashkëta kombëtare është një nga detyrat kryesore të Presidentit. Pas anëtarësimit në NATO, të realizuar një dekadë më parë, anëtarësimi në BE është objektivi strategjik kombëtar i vendit, shoqërisë dhe gjithë forcave politike.
E gjithë sjellja e Presidentit të Republikës dhe përpjekjet e tij, duke qenë shumë i ndërgjegjshëm dhe për detyrimet që duhen përmbushur veçanërisht për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE, kanë synuar shmangien e një konflikti civil, të një procesi të dështuar zgjedhor dhe realizimin e zgjedhjeve vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike për të përmirësuar besueshmërinë e vendit në përmbushjen e kritereve politike në prag të 17-18 tetorit 2019, kur do të merret vendimi i Këshillit Europian për Shqipërinë.
Arsyet e Presidentit për zhdekretimin e 30 qershorit
Në kushtet e një krize të rëndë të paprecedentë politike, kushtetuese, institucionale dhe përfaqësimi ku: 1. Palët politike u vendosën në një kurs konstant përplasjeje dhe refuzuan dialogun;
2. Opozita hoqi dorë në bllok nga mandatet parlamentare. 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës u dorëhoqën dhe refuzuan në bllok mandatet parlamentare.
3. Opozita parlamentare aktuale përftoi mandatet në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe procedurave legjislative;
4. Parlamenti nuk u plotësua me numrin kushtetues të 140 deputetëve për shkak të shterimit të listave të kandidatëve nga partitë e opozitës;
5. Parlamenti humbi rolin mbikqyrës ndaj ekzekutivit;
6. Parlamenti dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzojnë njohjen e autoritetit kushtetues të Presidentit të Republikës;
7. Gjykata Kushtetuese është jo funksionale prej 18 muajsh;
8. Gjykata e Lartë është jo funksionale;
9. Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm u zgjodh në mënyrë të njëanshme antikushtetuese;
10. Prokuroria nuk veproi për zbardhjen e krimeve zgjedhore të konsumuara në vitet 2016 - 2017 – Dosjet 184 (Bashkia Dibër) dhe 339 (Bashkia Durrës);
11. Opozita refuzoi regjistrimin si konkurrent zgjedhor për zgjedhjet lokale;
12. Mazhoranca këmbënguli të garonte e vetme për të marrë në administrim të 61 bashkitë e vendit dhe këshillat e tyre;
13. Zhvillimi i protestave periodike kombëtare të shoqëruara me akte dhune dhe vandalizmi si dhe reagim shproporcional nga forcat e rendit, me pasojë plagosje të shumta nga policia e shtetit dhe qytetarët;
14. Përdorimi i gjuhës armiqësore dhe thellimi i ndasive çoi në rritjen e frustrimit shoqëror dhe emigracionin masiv;
15. Rritja e pasigurisë ndikoi në ekonominë e vendit. 16. Refuzimi i Kryeministrit për të pranuar ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës e në vecanti përcaktimin e një date të re gjithëpërfshirëse përvec 30 qershorit;