Presidenca publikoi dje raportin shpjegues që i ka dërguar Komisionit të Venecias për zhdekretimin e datës 30 qershor, të zgjedhjeve vendore. Materiali prej 55 faqesh u është vënë në dispozion ekspertëve të Venecias që do të japin mendimin për nismën e PS që synon shkarkimin e kreut të shtetit për anulimin e datës së zgjedhjeve. Presidenti shpjegon se përballë një situatë protestash dhe gjuhe konflikti të përdorur nga palët politike si dhe përballë refuzimit të dialogut nga kryeministri, aq me tepër kur mazhoranca vendosi të hyjë në zgjedhje pa kandidatë, por edhe përballë një konflikti civil me datën 30 qershor, ai vendosi të shtyjë zgjedhjet. Duke cituar konventat ndërkombëtare, si dhe vendimin e Gjykatës së Strasburgut për një rast të ngjashëm në Bullgari, Presidenti shprehet se 30 qershori me vetëm një kandidat në garë nuk do të ishte normal. Veç këtyre argumenteve, kreu i shtetit pasqyron në raport dhe kërcënimet për trazira dhe të dhënat që flisnin për djegie të institucioneve. “…Presidenti u vu në dijeni se më datë 8 qershor mund të provokohej një konflikt destabilizues me pasoja për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, sigurinë publike dhe rendin kushtetues në vend. Në bazë të informacioneve tepër kritike të institucioneve të sigurisë kombëtare dhe nga burime të tjera të besueshme profesionale të siguruara në cilësinë e Kreut të Shtetit, Presidenti u vu në dijeni se rreziku i provokimit të një konflikti civil me pasojë destabilitetin e vendit do të përforcohej me afrimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor, e shpallur si datë e demonstrimit të forcës ndërmjet dy palëve. Presidenti mori informacion të besueshëm zyrtar nga institucione shumë të rëndësishme të sigurisë kombëtare se protesta e datës 8 qershor do të shfrytëzohej për djegien e Parlamentit dhe me qëllime destabilizuese”,- thuhet në raportin e kreut të shtetit.
Dokumenti është jo vetëm një pasqyrim i detajuar i bazës ligjore mbi të cilën veproi kreu i shtetit, por edhe një raport i qartë për atë çfarë ka ndodhur në Shqipëri që nga nisja e krizës politike. Kreu i shtetit sqaron me dokumente se përpjekjet për të zgjidhur krizën, nga ai personalisht dhe nga institucioni i Presidencës janë bërë që në muajin shkurt kur opozita dogji mandatet. Gjithashtu, Presidenti paraqet para Venecias edhe ftesat e shumta publike dhe letrat për dialog që ka dërguar në adresë të kreut të qeverisë dhe përfaqësuesve të opozitës. Por megjithë përpjekjet për konsensus nga ana e Presidentit, në raport thuhet se “palët politike u vendosën në një kurs konstant përplasjeje dhe refuzuan dialogun”. Kreu i shtetit ndalet dhe në djegien e mandateve të opozitës duke e kundërshtuar si akt, por duke kundërshtuar gjithashtu dhe mënyrën sesi u bë zëvendësimi i deputetëve që ikën nga Kuvendit. “Opozita hoqi dorë në bllok nga mandatet parlamentare. 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës u dorëhoqën dhe refuzuan në bllok mandatet parlamentare. Opozita parlamentare aktuale përftoi mandatet në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe procedurave legjislative. Parlamenti nuk u plotësua me numrin kushtetues të 140 deputetëve për shkak të shterimit të listave të kandidatëve nga partitë e opozitës”,- thuhet në konkluzionet e raportit të kreut të shtetit.
Duke i renditur këtë çështje si pjesë e përkeqësimit të krizës politike në vend, kreu i shtetit ndalet dhe në situatën e krijuar në drejtësi, ku vendi nuk ka Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe Prokurorja e Përgjithshme është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese. Në këtë pikë, Presidenti i kujton Komisionet të Venecias dhe rekomandimet për reformën në drejtësi, ku në asnjë rresht nuk përmendet termi kryeprokurore e përkohshme. Presidenti vlerëson se kriza politike u rëndua më tepër edhe për shkak të mos hetimit të dosjeve dhe akuzave që lidhen me vjedhjen e votave në Dibër dhe në Durrës. “Nga materialet e publikuara, të rrjedhura në mediet shqiptare dhe ndërkombëtare, dilte në pah një skemë e mirëorganizuar, që lidhte zyrtarë të lartë të PS, përfshirë ministra të kabinetit qeveritar, kryetarë bashkish, oficerë të lartë të Policisë së Shtetit dhe nëpunës të tjerë të lartë civilë, të cilët bashkëpunonin me bandat famëkeqe kriminale (përfshirë në trafik ndërkombëtar droge) për manipulimin e rezultatit zgjedhor në favor të PS. Këto të dhëna, edhe pse në dispozicion të Prokurorisë prej më shumë se dy vitesh, nuk i kishin vënë në lëvizje organet hetimore për të kryer veprime të mëtejshme ligjore”,- thuhet në raportin e kreut të shtetit.
Raporti i kreut të shtetit për Venecian pasqyron dhe aktet flagrante të KQZ, Kolegjit Zgjedhor dhe Parlamentit të drejtuar në PS kundër dekretit për anulimin e 30 qershorit. Me një gjuhë të qartë juridike me dokumentin e publikuar dje, Presidenti jo vetëm sqaron ndërkombëtarët, por edhe ata pak qytetarë që ende besojnë propagandën e Rilindjes që thotë se kreu i shtetit shkeli ligjin. Në fakt, Presidenca është i vetmi institucioni që në këtë krizë të rëndë politike ka respektuar ligjet dhe ka mbrojtur Kushtetutën.