“Kriza politike u intensifikua me afrimin e ditës së zgjedhjeve.” “Ky antagonizëm ishte tregues i mungesës së përgjegjësisë së përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor që duhet të tejkalonte ndasitë partiake, dhe rrjedhimisht, ndikoi negativisht në të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje.”
Këto konstatime të thjeshta nga Raporti Përfundimtar i OSBE/ODIHR mjaftojnë për të kuptuar sintezën e klimës së rënduar politike, që sa vinte e përshkallëzohej, duke iu afruar 30 qershorit.
Marrëdhënia mes palëve, që me të drejtë cilësohet si antagoniste, ishte në shkallën më të lartë të armiqësisë dhe frymës provokuese. Një papërgjegjshmëri e përbashkët politike, që rrezikonte shkatërrimin e integritetit dhe standardeve të zgjedhjeve, me pasoja të rënda për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
“Shumë interlokutorë të EOM përgjatë gjithë spektrit politik besonin se një marrëveshje ndërmjet partive është e nevojshme për të parandaluar erozionin e mëtejshëm të besimit ndaj demokracisë, zgjedhjeve dhe politikanëve.”
OSBE/ODIHR vlerëson kësisoj se shumica e bashkëbiseduesve të tyre nga i gjithë spektri politik gjykonin se ishte koha për një marrëveshje gjithpërfshirëse, për të ruajtur dhe shpëtuar demokracinë, pluralizmin politik dhe zgjedhjet, nga sjelljet e papërgjegjshme të politikanëve, të cilët nuk donin të llogarisnin pasojat e sjelljeve të tyre konfrontuese dhe që me këmbëngulje vazhdonin të qëndronin në llogore për të asgjësuar politikisht njëri-tjetrin.
“Presidenti Meta ka ofruar në mënyrë të përsëritur të lehtësojë dialogun mes palëve dhe në fund të muajit maj (2019) shprehu vullnetin për shtyrjen e zgjedhjeve.”
Ky konstatim i OSBE/ODIHR më 14 qershor, vetëm katër ditë pas firmosjes së dekretit për shtyrjen e 30 qershorit, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore, tregon se Presidenti, në mënyrë të vazhdueshme dhe këmbëngulëse, në respekt të pozicionit të tij kushtetues mbi palët, kishte bërë të gjitha përpjekjet për zbutjen dhe tejkalimin e krizës, për të zëvendësuar konfrontimin me dialogun gjithpërfshirës.
Dy javë përpara se të nxirrte dekretin për shtyrjen e zgjedhjeve, Presidenti kishte shprehur publikisht dhe zyrtarisht edhe vullnetin për rishikimin e datës, me qëllim organizimin e një procesi zgjedhor demokratik, vetëm pasi të dy palët të dakordësoheshin përmes dialogut, siç do duhej të ishte rruga më e mirë nga pikëpamja politike.
Por çfarë e bëri të pamundur rishikimin e datës së zgjedhjeve përmes dialogut gjithpërfshirës?
Tashmë është shumë e qartë: kokëfortësia dhe vendosmëria e Kryeministrit Rama për të zhvilluar zgjedhje pa opozitën, pa bërë përpjekjet më minimale dhe të sinqerta, për të shmangur pasojat.
“Përmes disa letrash publike të postuara në mediat sociale në fund të muajit maj, Kryeministri e ka ftuar Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, për dialog, duke konfirmuar në të njëjtën kohë se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor dhe duke kundërshtuar krijimin e një precedenti të ndryshimit të datës së zgjedhjeve.”
Ky konstatim i OSBE/ODIHR tregon qartë se deklarimet publike të Kryeministrit për dialog ishin vetëm për konsum propagandistik, pasi duke mos pranuar shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, ai e bënte të pamundur arritjen e dialogut me opozitën.
Për çfarë do të ulej opozita në dialog me Kryeministrin, nëse ai nuk i jepte mundësinë të merrte pjesë në zgjedhje vendore demokratike dhe sipas standardeve europiane?!
Opozita ishte larguar nga Parlamenti dhe 182 deputetë dhe kandidatë të saj kishin refuzuar mandatet e përfaqësimit. Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare përsëri 18 vende të opozitës kanë mbetur bosh në Kuvendin e Shqipërisë, që sot ka 122 deputetë nga 140 që është numri i detyrueshëm kushtetues.
Ndërkohë që më parë mazhoranca e kishte përjashtuar opozitën nga zbatimi konsensual i Reformës në Drejtësi duke e provokuar me zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm (term ky që nuk ekziston në Kushtetutë) me 69 vota në mënyrë tërësisht të njëanshme.
Në këto kushte, a mund të shkonte opozita në një “dialog” për ta uruar Kryeministrin për fitoren me 100% të bashkive dhe këshillave bashkiakë pa kundërshtarë, duke patur parasysh se partitë e Opozitës së Bashkuar përfaqësojnë nga zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2015, 48.6 % të votave ndërsa PS bashkë me aleatët 43% të votave?!
Pretendimi i Kryeministrit se ndryshimi i datës së zgjedhjeve së 30 qershorit do përbënte një preçedent të papranueshëm ishte tërësisht i pandershëm dhe i pavërtetë.
Precedentin e parë të shtyrjes së zgjedhjeve vendore e kishte krijuar vetë z. Rama në vitin 2007 kur ishte në opozitë, kryetar i saj, dhe njëkohësisht i Bashkisë së Tiranës, dhe kur refuzoi të hynte në zgjedhjet vendore të shpallura, pasi kërkonte përfshirjen e një elementi teknik (çertifikate) në procesin e zgjedhjeve. Dhe pikërisht në atë kohë, falë vullnetit politik të ish-Kryeministrit Berisha, u pranua shtyrja e zgjedhjeve dhe u plotësua kjo kërkesë fare teknike e opozitës.
Ndërkohë situata politike, kushtetuese, parlamentare, institucionale tani ishte shumë më e rëndë se ajo e 12 viteve më parë, kur parlamenti ishte funksional, Gjykata Kushtetuese e respektuar nga të gjithë dhe po kështu edhe institucionet e drejtësisë të pakontestuara.
“Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerrë nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji”. “Vetëm Gjykata Kushtetuese është e autorizuar të gjykojë mbi kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit të Republikës”
Këto konstatime të Raportit Përfundimtar të OSBE/ODIHR në mënyrë të kristaltë provojnë paligjshmërinë e veprimeve të Kuvendit dhe “konkluzioneve” të Rezolutës, që u përdor vetëm për të justifikuar politikisht aktin e paligjshëm të KQZ për refuzimin e dekreteve të Presidentit dhe manipulimin për qëllime propagandistike të Kolegjit Zgjedhor.
Mospublikimi i Dekretit të Presidentit në Fletoren Zyrtare ishte një ndër aktet më skandaloze në historinë e shtetit shqiptar, dhe që me të drejtë është theksuar dhe evidentuar qartë në Raportin Përfundimtar të OSBE/ODIHR.
“Pasiguria u rrit më tej nga mosmarrëveshja midis palëve të interesuara zgjedhore në lidhje me ndarjen e përgjegjësisë midis Gjykatës Kushtetuese, si organi i vetëm i mandatuar për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e dekreteve presidenciale, dhe Kolegjit Zgjedhor që ka mandat të mbikëqyrë ligjshmërinë e procesit zgjedhor”
Me këtë konstatim të përsëritur, raporti i OSBE/ODIHR qartëson:
Së pari se sa absurde ishte përpjekja e mazhorancës për të krijuar me propagandë idenë se Kolegji Zgjedhor kishte kompetencë të shprehej kundër dekretit të Presidentit;
Dhe së dyti se: vetëm Gjykata Kushtetuese ka mandat për të vendosur për kushtetutshmërinë e dekreteve presidenciale ndërsa Kolegji Zgjedhor ka mandat vetëm për ligjshmërinë e procesit zgjedhor.
“Duke iu referuar rastit të kërkesës së Partisë së Uniteti Kombëtar për t’u tërhequr nga zgjedhjet, dhe vendimeve përkatëse të Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ, u vërejtën me shqetësim: i) mungesa e paanshmërisë së KQZ dhe votimi i anëtarëve të saj mbi linja partiake; ii) fakti që gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor janë subjekt i procesit të vetingut, që mund të ndikojë sigurinë e mandatit të tyre dhe potencialisht pavarësinë e tyre në vendimmarrje.”
Ky konstatim dëshmon hapur manovrat, jo vetëm propagandistike por edhe antikushtetuese dhe të paligjshme, të orkestruara nga mazhoranca, që keqpërdori në mënyrë partiake KQZ-në, duke ndikuar politikisht edhe tek farsa e Kolegjit Zgjedhor, për të krijuar idenë e rreme se ishte rrëzuar dekreti i Presidentit dhe se procesi zgjedhor mund të vazhdonte bazuar vetëm në vendime të njëanshme politike.
I vetmi tejkalim afatesh procedurale i akteve të Presidentit është ai i parashikuar nga Kodi Zgjedhor (me tre muaj), por edhe ky tejkalim ishte tërësisht i parëndësishëm në raport me vetë parimet e Kodit Zgjedhor që është ndërtuar për të mos pranuar dhe as lejuar zgjedhje fiktive pa kundërshtarë.
Këtë e konstaton shumë qartë OSBE/ODIHR kur në raportin e tij të ndërmjetëm të datës 14 qershor 2019, u shpreh se:
“Kodi Zgjedhor nuk përmban asnjë rregullim specifik për zgjedhje pa kundërshtarë.”
Jo rastësisht Kodi Zgjedhor nuk parashikon zgjedhje pa kundërshtar pasi është ndërtuar në respekt të parimit kushtetues të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kushtetuta vetë ka huazuar edhe për “të drejtën e zgjedhjes” parimet themelore të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Ndërsa Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në interpretim të kuptimit të drejtës së zgjedhjes, në vitin 2015, ka përcaktuar qartë se çfarë kupton me të drejtë të zgjedhjes.
“E drejta e votës e garantuar nga Neni 3 i Protokollit nr. 1 nuk është e kufizuar në veprimin e zgjedhjes së një kandidati dhe hedhjes së votës në kutinë e votimit.” “Vota e çdo zgjedhësi duhet të krijojë mundësinë (e këtij të fundit) të ndikojë në formimin e organeve ligjbërëse në të kundërt e drejta e votës, procesi zgjedh