Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka zbuluar se çfarë u diskutua gjatë takimit me kreun e PD-së Lulzim Basha dhe aleatët, mbrëmjen e shkuar në Ishëm të Durrësit.
“Është një takim sa formal dhe informal. Erdhi si rrjedhojë e takimit që u organizua tek Partia Demokratike. Ku u diskutuan dy çështje ideja për të patur një platformë të plotë për Shqipërinë Europiane dhe ideja e një organizimi më të qenësishëm dhe koordinimi të veprimtarisë opozitare. Ne diskutuam pikërisht për këto dy çështje. Për të vijuar me Reformën Zgjedhore, për të luftën kundër krimit. Jemi përballë vendimit për hapjen e negociatave. Për të gjitha këto pati një frymë poztive për të ecur në një rrugë të përbashkët.”- u shpreh Mediu per FaxNews.
I pyetur nëse do të ketë më protesta, pasi janë hequr gardhet mbrojtëse tek kryeministria, Mediu u shpreh se protestat do të vijojnë, por nuk duhet të fokusohen vetëm tek protesta, për të mos lënë menjanë interesa të tjera të rëndësishme për shqiptarët.
“Nëse opozita heq dorë nga protestat do të thotë se heq dorë nga qytetarët. Unë mendoj se protesta është gjëja më e vlefshme për demokracinë, sepse do të thotë një mos pajtueshmëri me të ka qenë. Nuk është diskutuar për heqje dorë, por forcimin. Por kjo nuk do të thotë të fokusohemi vetëm tek prostesta duke lënë menjanë interesa të tjera të rëndësishme për shqiptarët.”– deklaroi më tej Mediu
Ndërkohë që i pyetur për zërat që qarkullojnë se ka një marrëveshje me Rama-Basha, kreu i PR-së deklaroi se hëpërhë nuk ka një marrëveshje, por theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet palëve.
“Kjo është një lojë e Edi Ramës, përpiqet që ta dërgojë vëmendjen diku tjetër. Nuk ka një marrëveshje hëpërhë me Ramën dhe Basha e ka bërë të qartë. Mendoj se ka nevojë për dialog, duke abstraguar nga emrat e individit. Ky është fokusi i diskutimit opozitar. “- u shpreh Mediu.