Duka: Pjesëtarët e qeverisë të jenë qytetarët, duhet të ketë elementë mazhoritar

Tuesday, 17 September 2019 21:20

Ndërsa nga dy partitë kryesore PS, PD nuk ka asnjë sinjal për ndryshim të sistemit zgjedhor kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka e sheh të domosdoshme futjen e disa elementëve mazhoritar në zgjedhje.

I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, Duka thotë se vetëm kur qytetarët të mund të ndikojnë me votën e tyre do të marrin edhe shërbimet e duhura.

Agron Duka: Shqiptarët sot po vuajnë pasojat e krizës që fajtore është politika në përgjithësi, por përgjegjëse kryesore është mazhoranca, e cila është në qeveri. Opozita tashmë nuk ka asnjë lloj pushteti, përveç asaj që denoncon në mënyrë të vazhdueshme edhe po fiton publikisht, por nuk është kjo ajo që do t'ju sjelli shqiptarëve një të ardhme, por duhet patjetër që ne të kalojmë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duhet që pjesëtarët e opozitës të jenë votuesit.

Gazetari: Cili është mendimi juaj për reformën zgjedhore?

Agron Duka: Reforma Zgjedhore, duke filluar që nga kodi që partitë e vogla nuk kanë komisionerë. Duhet të rriten penalitetet për ata që fusin duart në vota, për ata që ndikojnë në votime. Ajo votë që ju çoni nuk shkon aty ku ju thoni, sepse njerëzit janë të emëruar, ju nuk e dini se kush do të dalë aty deputet. Përkundrazi jeni simpatizantë të një partie PS apo PD, të ngarkuar ideologjikisht, votoni partinë dhe zgjidheni vetë ça keni brenda. Duhet patjetër të ketë elementë mazhoritar, që personi që votohet të shkojë në parlament. Atëherë ti je pjesëtar në qeverisje dhe pushtet.

Login to post comments