Balliu: Do t’ia nximë jetën qeverisë Rama, siç ajo ua nxin jetën qytetarëve shqiptarë

Tuesday, 17 Prill 2018 13:33

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu në një intervistë për “Koha Jonë” ka deklaruar se opozita do vijojë betejën e saj, pavarësisht vendimeve arbitrare të qeverisë “Rama”. “Revolta e qytetarëve ndaj qeverisë do përshkallëzohet, po ashtu dhe aksioni opozitar duke bashkuar zërin e saj dhe betejën e saj me qytetarët të cilët sot po i thonë STOP këtij regjimi që po tenton të instalohet në vend”,- shprehet deputeti demokrat Balliu. Në lidhje me përjashtimin për 10 ditë nga Kuvendi, ai shprehet se në rast se është thyer Rregullorja, duhet të merren masa ndaj tij dhe secilit deputet. Deputeti demokrat thotë se opozita do të vijojë me mosbindjen civile duke përdorur metoda të tjera proteste.

Byroja e Kuvendit ka vendosur të përjashtojë 6 deputetë të opozitës, si dhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati për 10 ditë, për shkak të incidentit që ndodhi në seancën e shkuar. Si ju duket vendimi i Byrosë?

Byroja e Kuvendit gjatë gjithë kësaj kohe ka treguar se është kthyer në një Byro Politike. Deputetët e opozitës vijojnë të ndëshkohen ndërsa Edi Rama, shkelësi më i madh e Rregullores nuk është ndëshkuar në asnjë rast. As edhe kur fyeu publikisht mbarë popullin shqiptar rreth 3 javë më parë nga foltorja e Kuvendit. Nëse kam thyer Rregulloren, jam dakord të merren masat ndaj meje dhe secilit deputet. Por Rregullorja duhet të jetë njësoj për të gjithë parlamentarët, pavarësisht kaheve politike e po ashtu dhe për Kryeministrin që shau shqiptarët. Gramoz Ruçi nuk di të veprojë ndryshe, ndaj po tenton rikthejë luftën e klasave, si biri i etërve komunistë. Opozita do të vijojë betejën e saj pavarësisht vendimeve arbitrare të Byrosë Politike.

Deputetët e opozitës deklaruan se në seancën e radhës nuk do të qëllojnë vetëm me miell, por edhe me sende të tjera, a është kjo e vetmja rrugë që i ka mbetur opozitës në një moment të tillë?

Revolta e qytetarëve ndaj qeverisë do përshkallëzohet po ashtu dhe aksioni opozitar do përshkallëzohet duke bashkuar zërin e saj dhe betejën e saj me qytetarët të cilët sot po i thonë STOP këtij regjimi që po tenton të instalohet në vend. Regjimi i krimit dhe i mafies nuk mund të lejohet, ndaj populli çdo ditë e më shumë po e tregon se nuk e pranon. Në të njëjtin nivel refuzimi është edhe opozita, si e vetmja shpresë për të ardhmen. Unë mund të them sot vetëm kaq. Do t’ja nximë jetën qeverisë Rama, siç ajo ua nxin jetën qytetarëve shqiptarë. Në asnjë moment qeveria e bandave dhe e depresionit nuk do të jetë e qetë as në Parlament dhe askund, deri sa ajo të largohet nga drejtimi i vendit. Vendimi për refuzimin e kësaj qeverie ishte i përbashkët dhe kërkesë e qytetarëve.

Ka zëra që thonë se aksioni i opozitës ishte i urdhëruar nga Sali Berisha, si i komentoni ju?

Mund t’ju them se çdo herë që Sali Berisha këshillon ato këshilla merren parasysh, pasi ai nuk është thjesht aset partiak, por një aset kombëtar. Është një krenari e veçantë për mua që të jem në të njëjtin grup parlamentar ku ndodhet edhe Sali Berisha. Njeriu që ndërtoi sistemin demokratik në vendin tonë. Por sigurisht, aksioni opozitar vendoset nga strukturat më të larta të partisë dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Sa do zgjasin protestat pasi të jemi realist nga ana e PD-së kanë qenë të rralla, por ndërkohë po fillojnë të bëhen të shpeshta?

Aksioni qytetar, i mbështetje nga Partia Demokratike sapo ka filluar. Por aksioni i opozitës do të vazhdojë deri në largimin e kryebanditit Rama. Nuk ka kthim pas dhe nuk mund të ketë. Vendi është buzë greminës dhe kjo për faj të keqqeverisjes së vendit nga kryebanditi Edi Rama. Çdo ditë qytetarët po ndjejnë barrën e vendimeve të kësaj qeverisjes, e cila duhet refuzuar me çdo çmim dhe çdo kosto.

Çfarë po ndodh me atë që është quajtur aksioni i mosbindjes civile?

Mosbindja civile ka filluar ashtu siç e patë, u bllokuan rrugët, kryeministri nuk hyri dot në Shkodër. Kjo mosbindje civile do të përshkallëzohet nëse kryeministri dhe bandat e tij nuk largohet. Kam bindjen që të gjithë bashkë do t’ia dalim. Bashkimit të qytetarëve nuk ka asnjë qeveri që mund ti bëjë ballë. Nuk mund ti dalë përballë. Pasi populli i një vendi demokratik ka shumë më shumë pushtet sesa një kryeministër ilegjitim, siç është Edi Rama.

Ju kërkoni largimin e kryeministrit Edi Rama, si do të vazhdojë kjo kërkesë e opozitës dhe ku bazoheni për ta kërkuar këtë?

Arsyeja pse kërkojmë largimin e Edi Ramës është e qartë. Rrënimi ekonomik që ai po instalon në vend. Lidhjet e pazgjidhshme të tij me krimin dhe bandat. Agjenda e tij politike antikombëtare që po e vështirëson çdo ditë e më shumë bashkëpunimin e Shqipërisë dhe Kosovës. Vjedhjet masive në Buxhet. Mos të harrojmë që në 2017 janë zhdukur 780 milionë euro nga Buxheti i Shtetit në drejtim të paditur. E po ashtu janë zhdukur në drejtim të paditur edhe drejtorët e policisë së Vlorës apo Saimir Tahiri që nuk i dorëzohet drejtësisë pavarësisht akuzave shumë të rënda. Vjedhja e zgjedhjeve me paratë e Drogës. Me Ramën nuk ka zgjedhje, nuk ka prosperitet, nuk ka zhvillim, nuk ka luftë me bandat por bashkëpunim, nuk ka Evropë me Ramën. Por ka krim, varfëri, rrënim ekonomik, pasiguri dhe këtë ne s’mund dhe nuk do ta lejojmë.

Login to post comments