Ish-kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi deklaroi se shoqëria dhe qeveria shqiptare nuk janë të përgatitura që të përballojnë fenomene të tilla si tërmeti, siç ishte ai i ditës së shtunë. I ftuar në emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’ Prençi tha se duhet një platformë për të trajnuar nxënësit e shkollave për të përballuar fenomene të tilla natyrore.
Po ashtu ai tha se tërmet 5.8 ballë i ditës së shtunë është shoqëruar me mbi 400 ngjarje sizmike në disa zona të vendit.
“Personalisht jam shumë i gëzuar që ky tërmet nuk u shoqërua me pasoja të rënda njerëzore, por vetëm dëme materiale. Çdo lajm i keq ndikon negativisht tek psikologjia njerëzore dhe terrorizon familjet. Ndërkohë që shoqëria shqiptare dhe qeveria është e pamundur që të përballojë tërmetet. Duhen platforma për të trajnuar fëmijët. Qeveria duhet të mendojë dhe të shtojë buxhetin për vendin me qëllim që të ketë përgatitje. Nuk mungojnë shpenzime të tepërta siç janë rrugët 20 mln euro. Shqipëria për pozicionin gjeografik është një rajon në risk të lartë sa i takon lëvizjeve sizmike, apo dhe zjarreve, rrëshqitjeve të tokës, etj. Mund të them se në 2015-ën, drejtoria e Emergjencave Civile përfitoi 2 stërvitje në nivel kombëtar dhe rajonal në të cilën janë trajnuar. Por ky trajnim nuk është shtrirë tek nxënësit e shkollave. Janë regjistruar mbi 400 ngjarje sizmike nga e shtuna deri sot. Janë tërmete të vogla dhe janë të pandjeshme. E gjithë popullata dilnin nga pallati dhe rrinin poshtë tij, ndërkohë që janë të rrezikuar aty. Shqipëria jonë ka shumë për të bërë, por dhe niveli politik i drejtimit. Duhet të kemi vizion, program”, tha Prençi.