Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, qëndrimin gjerman për negociatat, e lexon si një shtysë për dialog mes palëve në vend, pasi për të ”pa dialog funksionues në Shqipëri, negociatat nuk hapen kurrë”.
Nga ana tjetër, ai thotë se: “Qëndrimi gjerman është skaner i situatës, vendosje e gishtit në plagë. Kriza është e thellë sa Shqipëria e ka humbur edhe rolin e saj stabilizues në rajon. Pa zgjidhur krizën e përfaqësimit nuk mund të ketë aa pluralizëm dhe as demokraci”.
Sipas tij, Po-ja e gjermanëve “është vullnet i mirë i Evropës për të mbajtur derën hapur”, por ne “nuk jemi në prag të derës dhe as nuk po hyjmë”.
“Negociatat nuk janë hapur. Maqedonisë iu tha po dhe iu caktua data. Neve na u dhanë kushte dhe do të hapen negociatat kur të plotësohen kushtet. Më tragjikja është se jemi më mbrapa seç ishim në vitin 2016. Jemi në pragun e vitit 2013, kur ende nuk e kishim marrë statusin e vendit kandidat”, shpjegoi Vasili.
Nga ana tjetër, Vasili theksoi më tej se mazhoranca kërkon të qëndrojë pezull me qëllim, pasi hapja e negociatave do të thotë monitorim dhe këtë gjë kjo qeveri nuk e do.