Ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku deklaron se Shqipëria është kthyer në një vend kyç për drogat, duke sjellë si shembull referuar tre raste të ditëve të fundit për trafikun e drogës. Tabaku jep emrin e kompanisë së transportit të frutave ekzotikë që sipas saj ka kryer 151 udhëtime me të njëjtin itinerar.
POSTIMI I TABAKUT
Shqipëria e cila kërkon integrimin në BE është kthyer në një vend kyç sa i takon drogave, janë 3 raste të paraqitura për publikun këto ditë që vërtetojnë protagonizmin (ashtu si është bërë e udhës këto 6 vitet e fundit) në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Rasti më i bujshëm ishte ai i disa ditëve më parë ku një sasi rekord kokaine u kap falë ndërhyrjes se DEA-s. Por porositësi i shpëtoi aksionit.
Faqja që tregon udhëtimet e anijeve me ngarkesë zbulon se kompania Alba Exotic Fruit shpk, (https://panjiva.com/Alba-Exotic-Fruit-Shpk/29513544) ka kryer 151 udhëtime me të njëjtin itinerar. Secili prej nesh e ka të thjeshtë të kryejë llogaritë se sa kg kokainë mund të jenë transportuar.
Një nga kriteret e vendosura nga Bundestag lidhet me trafikimin e lëndëve narkotike dhe shndërrimin e Shqipërisë në një bazë për drogat e forta dhe nyjë në trafikun ndërkombëtar.
Integrim do të thotë plotësimi kushteve, kjo e fundit do të thotë vullnet politik dhe kjo mungon. Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të jenë peng i politikës së kësaj qeverie dhe mazhorance. Shqipëria ka nevojë për politikanë seriozë, për rezultate konkrete e jo për propagandë. Trafiku i drogës e lufta ndaj krimit të organizuar përherë e më shumë po theksohen si kritere si shkak i mungesës së progresit në to!
Nuk është kjo Shqipëria që meritojnë fëmijët tanë, nuk është kjo rruga Europiane e Shqipërisë! Me Edi Ramën nuk mund të ketë Shqipëri europiane!