Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Estoni, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Estonisë, z.Juri Ratas.
Nëpërmjet një postimi në Facebook Presidenti Meta thotë se ky ishte një takim mjaft i frytshëm dhe se Shqipëria duhet të përfitojë nga modeli i shkëlqyer i E-Estonia në inovacion, start-up dhe e-services.
“Një takim miqësor, mjaft i frytshëm dhe konstruktiv me Kryeministrin e Estonisë, z.Juri Ratas. Shqipëria dhe Estonia kanë mundësi të jashtëzakonshme për të forcuar marrëdhëniet e shkëlqyera, veçanërisht bashkëpunimin ekonomiko-tregtar.
Kryeministri Ratas më shprehu mirënjohjen për kontributin e vendit tonë në forcimin e sigurisë në rajonin e Balltikut, në kuadër të NATO-s, në misionin ushtarak në Letoninë fqinje.
Shqipëria duhet të përfitojë nga modeli i shkëlqyer i E-Estonia në inovacion, start-up dhe e-services. Një fushë e bashkëpunimit është edhe ajo e sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike, ku përvoja e Estonisë do të jetë një mbështetje e shkëlqyer në kuadër të sfidave të përbashkëta që ndajmë si dy vende anëtare të NATO-s.
E falenderova për mbështetjen konstante që Estonia ka dhënë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Kemi besim tek Vendet Balltike për vendimin e 18 tetorit!”, shkruan Presidenti Meta.