Komisioni Integrimit miratoi sot amendimet e propozuara nga deputeti Ditmir Bushati për p/rezolutën për mbështetjen e celjes së negociatave për anëtarësim në BE. Kryetarja e komisionit, Rudina Hajdari u shpreh se palët janë dakordësuar për amendimet në fjalë dhe se Kuvendi pret një përgjigje pozitive nga Këshilli Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim.
Në propozimet e tij ligjvënësi socialist thekson se Kuvendi nuk ka tagër vendimmarrës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Bushati propozon që në p/rezolutë të theksohet se “Kuvendi i kërkon qeverisë të paraqesë brenda 31 Tetorit 2019 planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian”.
Po ashtu, Ditmir Bushati propzon që: Kuvendi të nxisë institucionet tjera përgjegjëse me qëllim ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsiont dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, brenda vitit 2019. Ndër të tjera kërkohet specifikimi në p/rezolutë angazhimi i Kuvendit për miratimin e reformës zgjedhore brenda vitit 2019.