Në vetëm 2 ditë kanë ndodhur 5 vrasje, dy prej tyre atentate mafioze. Prej një jave mediat ndërkombëtarë por edhe ato shqiptare po flasin për dekonspirimin e operacionit të DEA-s amerikane për kokainën në portin e Durrësit dhe prej ditësh Sandër Lleshaj e mbylli gojën.
Në media dalja e fundit ishte për shown mediatik për tërmetin.
Zëvendësimi i 137 kilogramëve kokainë me oriz në portin e Pireut në Greqi, para se ngarkesa të mbërrinte Durrësin, ngriti pikëpyetje mbi besimin e agjencive partnere tek autoritetet shqiptare. Si për ironi, ndonëse kontejnerët e drogës ishin nën sytë e policisë, disa nga pako u nxorën nga porti dhe i dyshuari si autor, Gentian Malindi, u largua pa gjurmë. Por, Sandër Lleshaj nuk foli për këtë skandal.
Sot, atij i dogji deklarata e kreut të PD Lulzim Basha se Shqipëria ka shënuar raste në rritje të trafikut të narkotikëve. Nëpërmjet një postimi në twitter, mjet komod për Lleshajn për të deklaruar diçka pa qënë nevoja të ngrihet nga krevati, apo nga tavolina e kafenesë, ministri nuk i jep dot shpjegim rasteve në shtim të kokainës, kanabisit, heroinës, në kufijtë shqiptarë, apo të shpjegojë shqetësimet e autoriteteve ndërkombëtare për dekonspirimet e operacioneve. Lleshaj zgjodhi të bëjë më të lehtën, i rikthehet Lazaratit për t’u fshehur si struci.