Gjatë një interviste për gazetën ”Koha Jonë”, ish-deputeti i PD-së Luçiano Boçi, i pyetur për Komisionin e Venecias në lidhje me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, është shprehur se gondola e Venecias ka marrë ujë.
Sipas Boçit, ajo shprehet taksativisht që Presidenti nuk mund të shkarkohet, ”nuk bën të njëjtën gjë me mënyrën e tejkalimit të kushtetutës që më shumë nuk është se sa është”.
Nga ana tjetër, ish-demokrati pohoi se Komisioni Hetimor i PS-së, sipas tij, ”ka një këmbëngulje absurde si shfaqe e plotë e dallkaukllëkut nga njëra anë dhe djallëzisë politike nga ana tjetër e cila nëpërmjet njëmijë e një marifeteve kërkon të mbajë në këmbë në opinion një çështje që ishte e zgjidhur që në fillim dhe që përmblidhet në fjalinë: Presidenti nuk e ka shkelur kushtetutën”.
”Koha Jonë”-Opinioni i Komisionit të Venecias, doli në një përfundim se Presidenti Ilir Meta nuk duhet shkarkuar. Pyetja në këtë pjesë është se a duhet të vijojë Komisioni Hetimor i PS-së dhe procedura e shkarkimit të Presidentit pas opinionit të Venecias? Nga ana PS thotë se Venecia ishte kundër bojkotit të 30 qershorit. A vlen opinioni edhe për legjitimitetin e 30 qershorit?
Gondola e Venecias duket se ka marrë disi pak ujë. Ndërkohë që ajo shprehet taksativisht që Presidenti nuk mund të shkarkohet, nuk bën të njëjtën gjë me mënyrën e tejkalimit të kushtetutës që më shumë nuk është se sa është. Të dyja njëkohësisht këto qëndrime duket se krijojnë një non sens juridik por që tentojnë të krijojnë një ekuilibër politik të panevojshëm. Kurrsesi komisioni nuk legjitimon 30 qershorin. Farsa e 30 qershorit nuk është një moment teorik e as i vetëm.
Është një proces i cili u hodh poshtë dhe nga OSBE/ODHIR, pasi u pengua në të vullneti i votuesit, nëpërmjet një votimi monopartiak dhe ku organet administrative si KQZ, nën urdhrat politikë, morën funksionet e gjykatave. Kushtetuta u konsiderua nga aktorët që realizuan atë me në krye Ramën si një letër pavlerë dhe u shkel me të dyja këmbët. 30 qershori ishte një lapidar turpi i cili vërtetoi se si vota vidhet në mes të ditës, se si ajo deformohet, se si krimi e trysnon atë, se si ajo numërohet me matematikë politike duke shtuar fiktivisht numrin e votuesve dhe se si krimi merr funksionet e drejtimit të vendit nëpërmjet kandidatëve me të shkuar kriminale.
I panevojshëm duket të jetë pas kësaj dhe vetë komisioni hetimor i cili ka një këmbëngulje absurde si shfaqe e plotë e dallkaukllëkut nga njëra anë dhe djallëzisë politike nga ana tjetër e cila nëpërmjet njëmijë e një marifeteve kërkon të mbajë në këmbë në opinion një çështje që ishte e zgjidhur që në fillim dhe që përmblidhet në fjalinë: Presidenti nuk e ka shkelur kushtetutën.