Duke komentuar zgjedhjet e fundit në Kosovë, si edhe fitoren e Albin Kurtit dhe Vetvendosjes, të cilat shënuan një hop cilësor në demokracinë e këtij shteti, analisti Fatos Lubonja, në një lidhje “Skype” në News24, tha se fitorja është një sfidë e madhe për Albin Kurtin. Ndërkohë duke e krahasuar me fitoren e të majtëve në Greqi e Itali, Lubonja deklaroi se çështja më e vështirë për Albin Kurtin është ajo e bisedimeve me Serbin, ndërsa si sfidë shikon ndërtimin e shtetit të së drejtës.
“Cipras dhe 5 yjet në Itali tregojnë dhe flasin për hendekun mes premtimeve, idealeve dhe realitetit por nëse iu referohemi konkretisht, Cipras u mund nga Europa sepse kishte një barrë të madhe (borxhin) të cilën Kosova nuk e ka si problem. Albini ka më të vështirë në këtë aspekt çështjen e bisedimeve me Serbinë, sa do jetë realist e koherent me ato që ka thënë më parë. Ai i mbetet koherent idesë që ka propaganduar për një Shqipëri të bashkuar gjë që nuk e thotë por e lë si projekt, flet për dy shtete por një komb. Është pak problematike në këtë aspekt se shteti komb është ndryshe nga një komb pa shtet. Gjithsesi mendoj se sfida më e madhe e tij është të ndërtojë shtetin e së drejtës, një shtet social, një shtet ku shqiptarët të besojnë tek ai. Nëse arrin këto, e ardhmja bashkimi nuk kanë shumë rëndësi”, tha Lubonja.
Por a do e lejojë komuniteti ndërkombëtar Albin Kurtin të bëhet kryeministër i Kosovës? Lubonja thotë se Kurti i ka dhënë një shembull shqiptarëve të Shqipërisë në këtë drejtim, se nuk mund të jemi kaq të varur nga komuniteti ndërkombëtar.
“Unë mendoj qe Albin Kurti ka pasur një meritë të rëndësishme, i ka dhënë edhe një shembull shqiptarëve të Shqipërisë se nuk mund të jemi kaq të varur nga komuniteti ndërkombëtar. Komuniteti ndërkombëtar vendos për fatet tona kur ia delegojmë ne, sepse nuk mund të t’i mbajmë ne ato përgjegjësi. nuk besoj se është komuniteti ndërkombëtar që do diktonte se kush do jetë kryeministër i Kosovës”, u shpreh ai.
Për sa i përket humbjes së partive të dala nga lufta, Lubonja tha se humbja erdhi sepse humbën premtimet e bëra gjatë luftës.
Më tej duke bërë një krahasim mes procesit zgjedhor në Kosovë dhe proceseve zgjedhore në Shqipëri, Lubonja tha se nuk është problem i sistemit po i ndershmërisë së partive politike dhe vullnetit të tyre. Sipas tij, duhet të ketë një lloj pakti që kur vjen puna tek zgjedhjet ‘nuk duhet të fusim duart’.
“Kjo nuk ka lidhje shumë me sistemin zgjedhor. Ne i kemi provuar sistemet zgjedhore dhe atë numërimin e menjëhershëm në Qendrat e Votimit dhe Qendrat e survejuara me kamera, edhe numërimin e pavarur nga partitë, edhe numërimin me përfaqësues të partive që kontrollojnë se nuk kanë besim tek njeri-tjetri. Ajo që ka bërë të mos funksionojë sistemi zgjedhor është fakti se nuk respektojmë ligjin por kemi respekt më shumë për hilen. Ka munguar vullneti, ndershmëria e klasës politike që kur vjen puna për zgjedhjet duhet të thotë që ‘aty nuk duhet të fusim duart’. Nuk është çështje kodi zgjedhor, pas 30 vitesh t’ia vësh të keqen Kodit Zgjedhor është të jesh jashtë realitetit. Tek ne mbetet respektimi i ligjit jo ligjet që kemi”, deklaroi Lubonja.