Pak orë pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, vjen edhe reagimi i ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç.
Shefi i diplomacisë së Beogradit thumbon teksa shprehet se, e dinte se kush pritej t’i fitonte zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Ai ka rrëfyer se, gjatë një bisede me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin perëndimor, Matthew Palmer, i është thënë nga ky i fundit se, Lëvizja Vetvendosje dhe LDK do të dalin fituese në zgjedhje dhe se së bashku do të krijojnë qeverinë e ardhshme.
“Nuk është e rastësishme. Amerikanët kanë thënë se tani është çështje pak më e komplikuar sepse për herë të parë do të merren me një parti e cila ka në idetë e saj edhe krijimin e Shqipërisë së Madhe”, deklaroi Daçiç në hapjen e samitit të 19-të të ekonomisë në Beograd, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
Sipas tij, duhet pritur për deklaratat e ardhshme të Albin Kurtit dhe Isa Mustafa pasi sipas tij, “gjë tjetër është kur flet nga opozita, diçka tjetër kur je në qeveri”.
“Ne nuk mund të ndikojmë tek çfarë zgjedhin shqiptarët e Kosovoës. Ne duhet të bashkëpunojmë me të gjithë pa marrë parasysh nëse dikujt i pëlqen një parti apo jo. Në çfarëdo rrethane pres vazhdimin e dialogut, heqjen e taksës çka do të krijonin kushtet për zgjidhje”, theksoi Ivica Daçiç