Ish deputetja e LSI Erisa Xhixho ka dalë në një konferencë shtypi gjatë ditës së sotme ku ka denoncuar sipas saj një “ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur në Komisionin e Ekonomisë të Parlamentit monist të rilindjes”.
“Fjala, u shpreh ajo, është për Pr/ligjin e “Korporatës së Investimeve Shqiptare“ që kaloi në Komisionin e Ekonomise para disa ditësh e cila është legjitimim i hapur i vjedhjes së prones private dhe publike”.
Deklarata e plotë e Erisa Xhixhos
Të nderuar qytetarë,
Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur në Komisionin e Ekonomisë të Parlamentit monist të rilindjes.
Fjala është për Pr/ligjin e “Korporatës së Investimeve Shqiptare“ që kaloi në Komisionin e Ekonomise para disa ditësh e cila është legjitimim i hapur i vjedhjes së prones private dhe publike.
Korporata ështe një mekanizëm grabitqar i kryeministrit Rama për të tjetërsuar pronën publike dhe private.
Ku konsiston kjo vjedhje shtetërore:
1.Ky pr/ligj shkel Kushtetutën e vendit pasi cënon sigurine juridike dhe fizike të prones private e publike.
Sipas këtij pr/ligji qeveria krijon Korporatën dhe me VKM i kalon asaj truall e prona të caktura në kapitalin e saj të cilat do shërbejnë më pas si kapital fillestar në treg. Ky është një abuzivitet skandaloz.
Pasi ende nuk ka një listë të saktë për pronat që mund të përdoren nga korporata. Ndërkohë mënyra dhe kriteret e vlerësimit të pronës publike mbeten abuzive, duke krijuar premisë që ajo të zhvleftësohet dhe të tjetërsohet me një të rënë të lapsit nga qeveria Rama tek çdo oligark i saj.
- Në këtë pr/ligj të cilin nuk e shpëtojnë dot as kozmetikat e gjoja të ndryshuar për nenin e prokurimit publik, pasi përsëri ka vakum ligjor , mungesë transparence dhe paqartësi të rrezikshme për mënyrën si do të zbatohet.
3.Korporata gjithashtu i jep të drejtë vetes për të marrë kredi duke përdorur si garanci pronat publike.
Kjo skemë mafioze pa dyshim është në filozofine e PPP të cilave i ka ardhur fundi duke rrezikuar të rrisi dhe të fshehë borxhin publik që sot është në kuotat 70%. Por çfarë ndodh nëse falimenton projekti? Fare thjeshtë prona publike do i kalojë bankës .
4.Gjithashtu ky ligj dhunon e shkel në mënyrë flagrante “Ligjin për Qeverisjen Vendore”, autonominë vendore që ashtu si në rastin e ligjit special për teatrin që u dhunua totalisht vendimarrja e Këshillit Bashkiak edhe pse një detyrim ligjor , tashmë ky precedent kthehet në normë duke qenë se çdo pronë publike me justifikimin e një projekti investimi strategjik vetëm me VKM mund t’i transferohen të drejtat e përdorimit, të pronësisë nga pushteti lokal apo qendror tek fondi i Korporatës.
- Ky projektligj vjedh pronën private me VKM me justifikimin e interesit publik, ku më të rrezikura padyshim janë së pari pronat në bregdet të cilat mund t’i dhurohen oligarkëve pranë qeverisë për të ndarë së bashku fitimet.
Ky është një ligj totalisht klientelist që grabit pronën private dhe publike e në këtë mënyrë padyshim cënon procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ku një nga kushtet që së fundmi Bundestagu Gjerman i ka vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave është pikërisht garantimi i plotë i të drejtës së pronës.
Ligji i jep të drejtën e pronësisë mbi publiken dhe privaten vetëm një njeriu, kryeministrit Rama për të administruar për interesat e tij dhe oligarkëve të tij pronat e shqiptarëve.
Pra kryegrabitqari ligjërohet të jetë Edi Rama dhe klientët e tij oligarkë.
I bëjmë thirrje qeverisë që të heqë dorë menjëherë nga ky ligj i cili është një atentat dhe grabitje e hapur masive e pronës publike dhe private.
Në rast se qeveria e kapur këmbëngul në miratimin e tij e garantojmë që ky ligj do të jetë jetë shkurtër dhe si ligji ashtu edhe pasojat e tij do të anulohen menjëherë në momentin që opozita do të marri qeverisjen e vendit në duart e saj.