Kryeministri Edi Rama në Serbi pas takimit me Presidentin Vuçiç dhe me kryeministrit e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se vendet si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë pse presin BE-në, duke e sulmuar në një farë mënyre Europën për refuzimin e çeljes së negociatave. Në një intervistë për “Koha Jonë”, nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, u pyet se: Si e shihni marrëveshjen e re mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, për “Schengen e Ballkanit Perëndimor” dhe sipas jush, çfarë synon praktikisht kjo marrëdhënie e re Rama-Vuçiç? Sa i takon marrëveshjen së “Schengen-In Ballkanik”, Mehmetaj ka deklaruar se kryeministri Edi Rama është i gatshëm të bëj çdokënd me faj veç vetes së tij, kur vjen puna tek dështimet që i faturohen drejtpërdrejtë qeverisë së tij. “Schengen-In Ballkanik” e shoh si një kapriço çasti që disa drejtues duan ta përdorin politikisht në këto momente kritike për anëtarësimin e rajonit në BE“, ka sqaruar më tej.
Përgjigja e plotë
E përmenda edhe më sipër, Rama është i gatshëm të bëj çdokënd me faj veç vetes së tij, kur vjen puna tek dështimet që i faturohen drejtëpërdrejtë qeverisë së tij. Pasi ezauroi fajtorët vendas dhe nuk i eci të bindë shqiptarët, i është rikthyer dëlirit të tij prej lideri ballkanik dhe filloi ti kërkojë fajtorët ndërmjet liderëve të BE. Kjo sjellje është e patolerueshme në aspektin diplomatik, por nga ana tjetër kjo sjellje reflekton edhe kaosin në të cilën ndodhet vendi. Nëse Rama mendon se “Schengen-In Ballkanik” mund ta përdorë si mjet presioni ndaj BE, le të kujtohet se ka bërë edhe më parë deklarata të ngjashme (kujtoj rastin kur i tregonte BE se kishte edhe opsione të tjera) dhe nuk kanë funksionuar.
Nëse shqetësimi i parë që ngrihet mbi “Schengen-In Ballkanik” lidhet me një sfidë të hapur që Rama mendon se po i bën Brukselit, shqetësimi i dytë dhe shumë kryesor lidhet me pozicionin e Kosovës brenda këtij projekti. A bën sens për një kryeministër shqiptar që pas një projekti si ai i procesit të Berlinit, ku nën ombrellën e BE, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë Kosovën uleshin të barabartë në tryezë dhe ndërmerrnin iniciativa të përbashkëta, ti kthehet një procesi tjetër më të ngushtë ku dukshëm Kosova nuk do të jetë pala kryesore?
Këto lloj aleancash ndërmjet liderësh të rrezikshëm që kanë mbjellë autokraci në vendet e tyre, as nuk përkrahen e as nuk pranohen nga partnerët tanë, ndaj më shumë se një projekt afatgjatë “Schengen-In Ballkanik” e shoh si një kapriço çasti që disa drejtues duan ta përdorin politikisht në këto momente kritike për anëtarësimin e rajonit në BE.