Basha mes banorëve të 'Unazës së Re': S'ka Shqipëri europiane pa çuar Ramën para drejtësisë

Diel, 13 October 2019 19:16

Nga Lulzim Basha

Europa e do Shqipërinë. Europa i do shqiptarët. Dështimi i sotëm nuk është dështimi i asnjë shqiptari të ndershëm, nuk është dështimi i Shqipërisë. Është dështimi i një njeriu që ka marrë peng Shqipërinë. Ky dështim mban vulën dhe firmën e të njëjtit njeriu që firmosi dhe vulosi aferrën korruptive tek Unaza e Re, që firmosi dhe vulosi vjedhjen e zgjedhjeve.

Pa u hetuar dhe pa u çuar para drejtësisë Edi Rama dhe gjithsecili prej bashkëpunëtorëve të tij nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri europiane. Këtë e kemi thënë prej fillimit ne demokratët, ne opozitarët, këtë sot e ka thënë me një gjuhë të qartë edhe Brukseli. Europa ka treguar se sa e drejtë dhe legjitime është kauza me të cilën nisi beteja e opozitës, beteja e Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë.

Kjo nuk është një betejë për pushtet. Kjo nuk është nëj betejë për veten tonë. Nuk është betejë për karrige. Kjo është betejë për t’i dhënë fund një herë e mirë jo vetëm këtij regjimi hajdutësh, kriminelësh, pa drejtësi, pa gjykata, një regjimi i cili ka asgjësuar bazën e bashkëjetesës demokratike, votën e lirë.

Beteja jonë është që një herë e mirë t’i japim fund këtij tranzicioni të tmerrshëm, plot me vuajtje dhe dhimbje dhe padrejtësi dhe të hapim për të gjithë shqiptarët, pa dallim bindje politike, një kapitull ku politikanët të mbahen përgjegjës para ligjit njësoj si çdo qytetar i thjeshtë dhe sa herë që ta shkelin ligjin, të marrin dënimin e merituar nga një drejtësi e pavarur.
Për një Shqipëri kur kurrë më të mos cënohet vota, vjedhja e votës, blerja e votës, shkatërrimi i zgjedhjeve me krimin e organizuar, kapja dhe blerja e medias, mbyllja e zërit të gazetarit të lirë; janë tipare të një vendi autokrat dhe kriminal. Ato nuk janë tipare të një Shqipërie europiane ashtu siç e duam dhe luftojmë të gjithë sëbashku.

Por miqtë e mi, koha kur Shqipëria po ecën indietro po merr fund.
Koha kur Shqipëria sundohet nga paligjshmëria do të marr fund shumë shpejt. Gjashtë muaj më parë kur e nisëm këtë betejë, shumëkush nuk besoi, na talli dhe na përqeshi.

Sot Europa flet me gjuhën e qytetarëve të bashkuar që duan ndryshim, duan transformim të thellë politik dhe ekonomik që besojnë tek Shqipëria, që besojnë tek demokracia, që besojnë tek liria, që besojnë tek familja, besojnë tek atdheu, besojnë tek Europa.

Zoti ju bekoftë ju shqiptarë të lirë dhe të ndershëm!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Fitore!

Login to post comments