Pasi ambasadori i OSBE, Berndt Borschardt, u tregoi gishtin e mesit protestuesve para Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ka ardhur dhe reagimi i ish ministrit të drejtësisë Ylli Manjani. Përmes një postimi në Facebook, Manjani i kujton diplomatit të huaj se, “ai gisht i ngritur, në fakt shpreh nivelin ordiner të një njeriu me nerva të lodhura, që nuk mund ta mbrojë por duhet ta ndëshkojë Konventa e Vienës”.
Postimi i plotë i Ylli Manjanit:
Gjeji vend atij gishti zoti Ambasador!
Këtë fyerje nuk ta kishim borxh. As ndonjë kusur nuk të kërkoi njeri!
Të qenit diplomat nuk të jep të drejtë të fyesh askënd në shtetin ku shërben!
Ai gisht i ngritur, në fakt shpreh nivelin ordiner të një njeriu me nerva të lodhura, që nuk mund ta mbrojë por duhet ta ndëshkojë Konventa e Vienës.
Ai gisht në fakt shpreh krizën spektakolare që ka drejtimi i OSBE, drejtim i cili do ti besohet qeverisë më antidemokratike të vendeve anëtare të OSBE. Qeverisë që dhunon egërsisht qytetarët e saj dhe liritë Kushtetuese.
Ai gisht në fakt është një akt i pastër sinqeriteti, sepse tregon se sa i paanshëm është diplomati që medemek kujdeset për demokracinë, zgjedhjet, sigurinë e bashkëpunimin!
Pika i rëntë atyre që besojnë se ky gisht përpjetë do ndihmojë reformën zgjedhore!
Çfarë arroganti!
Kjo është e turpshme! Një akt i pastër rrugaçërie nga një përfaqësues me imunitet diplomatik!
Zhgënjim i madh që diplomacia Gjermane të përfaqësohet me një person të tillë!
Turp! Turp!Turp! Shame on you!