Sekretari për Çeshtjet Ligjorë, Çlirim Gjata, ka komentuar në bisedën për Syri Tv edhe veprimin e dënueshëm të ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchard, i cili mbrëmë ndërsa po kalonte pranë Drejtorisë së Policisë u nxorri gishtin e mesit protestuesve që ishin aty për të kërkuar lirimin e të afërmve të tyre.
‘Kanë qenë 10-15 familjarë të cilët protestonin aty për lirimin e të afërmve të tyre. Në atë moment kalon Borchardt. Ca të pranishëm filluan të bërtisnin ‘Rama ik’. Ai bëri atë gjest që bëri.
Po ashtu edhe e shoqja e atij. Kjo ishte situata. Sa i takon këtij gjesti, është i turpshëm. Është banal. Një gjerman që bën gjëra të tillë dhe jo një gjerman rruge, por një ambasador i cili ka shërbyer dy herë në Shqipëri.
Kujt ia bëri atë gjest. Atyre shqiptarëve të varfër që protestojnë. Ky është formim kolonizatori që bën gjeste të tillë. Sot kishte kërkuar falje. Mirë bëri që kërkoi falje, por në raste te tilla mbahet përgjegjësi.
Dëgjova sot funksionarë të qeverisë të cilën mbronin Borchardin. Një gjë do të thosha. Mbroni shqiptarin tuaj. Kjo ka qenë më e turpshme se ajo e Borchardit,’-tha Gjata.