Opinioni i “Venecia”-s/ Lubonja: Eliminimi i Metës do të ishte skandal

Hënë, 14 October 2019 18:07

Analisti dhe publicisti i njohur, Fatos Lubonja, është i mendimit se mazhoranca nuk do t’i shkojë gjer në fund nismës për shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Duke komentuar një prej çështjeve më me rëndësi të aktualitetit politik në Shqipëri- publikimit të opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias në lidhje me antikushtetueshmërinë e vendimit të Metës në vendimin për të anuluar dhe shtyrë zgjedhjet vendore- Lubonja është shprehur për “News 24” se eliminimi i presidentit me sebepin se ka shkelur Kushtetutën me çdekretimin e 30 qershorit do të ishte një skandal dhe pjesë e autoritarizmit të qevrisjes së kryeministrit Edi Rama.

“Nuk më duket se do të kemi një zhvillim të menjëhershëm për shkarkimin e Metës. Rama ka hapur shumë fronte dhe ky është një prej tyre, me kundërshtarët e vet. Presidenti s’duhet të bëjë asgjë, të vazhdojë punën si President dhe ashtu siç ka punuar. Eliminimi i Presidentit me këtë sebep është skandal, është pjesë e autoritarizmit. Mund të ndodhë çdo gjë, por nuk mund të shkojnë deri te shkarkimi”, tha Lubonja.

Sipas tij, kërkesat drejtuar ndërkombëtarëve për të bërë rolin e “arbitrit” në çështjet e brendshme të vendit, është tregues i mungesës së emancipimit të politikës sonë, “që nuk bën dot shtet”. “Sa kohë që ne do presim të na e bëjë arbitrin, atë që duhet ta bëjmë vetë, ne nuk kemi gjë në terezi. Fakti që i japim kaq shumë rëndësi të huajit është një shenjë që politika jonë nuk është e emancipuar dhe nuk bën dot shtet. Po nuk u emancipua kjo klasë politike, edhe gjyqtarët, jemi shumë mbrapa.”

Ditën e sotme u publikua opinion përfundimtar i Komisionit të Venecias, ku ndonëse theksohej se vendimi i presidentit për shtyrjen e lokaleve nuk është ndërmarrë bazuar në një bazë ligjore, shtohej se ka disa indikacione, si: apeli për dialog politik, pritshmëria për arritjen e konsesusit ndërpartiak etj, që duhen marrë në konsideratë nga Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese në përcaktimin e shkeljes ose jo të Kushtetutës.

Login to post comments