Dështon takimi i ambasadorëve të BE-së, Franca kundër hapjes së negociatave

Hënë, 14 October 2019 20:25

Takimi i ambasadorëve të përhershëm të BE-së nuk ka prodhuar një rezultat konkret në lidhje me hapjen e negociatave të anëtarësimit. Edhe pse nuk ka mbështetur ndarjen e rastit të Shqipërisë nga ai i Maqedonisë së Veriut, Franca nuk është treguar fleksibël, ndërsa Holanda ka insistuar për një përgjigje negative. Ndërkohë, Danimarka mbështet ndarjen e vendimmarrjes.

Përfundon pa rezultat takimi i 28 ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Europian mbi draft-konkluzionet për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. ABC Neës ka mësuar nga burimet franceze, se ambasadori francez nuk ka treguar fleksibilitet për dhënien e dritës jeshile lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë Franca nuk mbështet ndarjen midis vendimmarrjes për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë. Por nuk është e qartë, nëse ministrja franceze për çështjet europiane, Amelie de Montchalin do të lëshojë pe për kushtin lidhur me prokurorinë speciale për Maqedoninë e Veriut përballë 27 ministrave të jashtëm në Luksemburg.

Për Shqipërinë, qëndrimet variojnë midis një një PO-je të kushtëzuar dhe një JO-je të fortë. ABC Neës ka mësuar nga burimet holandeze, se Holanda i mbahet JO-së të fortë për Shqipërinë, duke konsideruar se vendi nuk është gati për këtë etapë të integrimit europian.

Të njëjtat burime janë shprehur për ABC Neës, se ministri i jashtëm i Holandës, Stef Blok, do të mbrojë JO-në për Shqipërinë gjatë takimit tê nesërm tê ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Luksemburg.

ABC Neës ka mësuar gjithashtu, se Danimarka është në favor të ndarjes së vendimmarrjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, e ndjekur nga Spanja.

Burime zyrtare të Këshillit të Ministrave janë shprehur për ABC Neës, se Greqia nuk e lehtëson po ashtu kompromisin për Shqipërinë për shkak të rezervave që ka lidhur me trajtimin e minoriteteve.

Draft-konkluzionet për Shqipërinë flasin për një kombinim të qëndrimit gjerman dhe francez, për të hapur negociatat me vendin pasi Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë të jenë funksionale dhe progres në reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR. Por nuk dihet ende nëse do të jetë ky formulimi dhe kushtëzimi që do dalë nga takimi i ministrave të jashtëm në Luksemburg në 15 tetor. /ABC Neës Albania 24/7

Login to post comments