Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho e ftuar në një intervistë për televizionin Ora News, komentoi vendimin e Këshillit Europian për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Xhixho theksoi se përgjegjësia për dështimin me hapjen e negociatave bie mbi ekzekutivin dhe kryeministrin Rama dhe se ndjen keqardhje kur ka një mungesë përgjegjësie nga ana e tyre.
Gjithashtu Xhixho u shpreh se nëse do të kishte maturinë e mjaftueshme për demokracinë në vend, kryeministri dhe qeveria duhet të shihte me realizëm përgjigjen negative të Këshillit Europian dhe pse jo dhe të kishte një reagim si në rastin e Maqedonisë së Veriut, ku Zoran Zaev u shpreh për zgjedhje të parakohshme dhe mori të gjitha përgjegjësitë.
“Nëse bëjmë një analizë të ftohtë edhe të qartë shohim që në gjithë këtë jo që mori Shqipëria, pa dyshim që ka një përgjegjës dhe kjo bie mbi ekzekutivin, cili drejton gjithë procesin e integrimit europian. Dhe këto artikuluan edhe Gjermania, Franca, Hollanda, ku shqetësim shumë të madh kanë krimin e organizuar, kanë korrupsionin. Pra nuk ishte vetëm një vend, sepse në artikulim, dhe të vjen keq kur sheh që nuk ka një marrje të përgjegjësisë nga ana e qeverisë, por një anatemim apo fajësim të vendeve të Bashkimit Europian, të cilat i thanë jo Shqipërisë. Përkundrazi ato thanë disa të vërteta. Thanë disa të vërteta sepse sot nuk ke një Gjykatë të Lartë funksionale, nuk ke një Gjykatë Kushtetuese. Sot je vendi i dytë në Francë për azilkërkues. Dhe pse ndodh kjo? Sepse nuk ka siguri ekonomike, nuk ka siguri publike në vendin e origjinës.
Propaganda e qeverisë shqiptare, e cila pa dyshim e ka një kartë shumë të fortë atë, nuk mund t’i hedhë hi syve disa vendeve të cilat sjellin ekspertë dhe e shohin realisht me ekspertët e tyre progresin e vendeve të cilat aspirojnë integrimin europian, mbi të gjitha në këtë moment ku Bashkimi Europian ka skepticizmin dhe dyshimet e veta për procesin e zgjerimit të vetë kësaj organizate. Kështu që ne do të ecim me idenë që të fajësojmë vendet anëtare, sepse nuk ishte vetëm Franca, është Hollanda dhe një nga vendet që është shprehur mjaft skeptike, madje ka bërë edhe një mocion për rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë, ka thënë gjatë gjithë kohës që ke probleme me krimin e organizuar dhe korrupsionin sepse i afekton direkt këto vende. Ke Danimarkën me po të njëjtin shqetësim, ke Spanjën, ke Finlandën po ashtu së fundmi.
Pa dyshim që klasa politike ka përgjegjësi, por përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë dhe mbi kryeministrin Rama, i cili drejton gjithë këtë proces. Dhe nga ana tjetër në qoftë se do të ishim një vend ku sundon shteti i së drejtës dhe ku klasa politike ka maturinë e mjaftueshme për demokracinë dhe për gjithçka tjetër, besoj që të gjithë do të donim që kryeministri jonë të merrte disa përgjegjësi, ta shihte me realizëm JO-në e Këshillit Europian dhe të shtrinte dorën për të avancuar të gjithë reformat. Ose padyshim unë do të prisja edhe një reagim, pse jo, siç e bëri kryeministri Zaev në Maqedoninë e Veriut, i cili mori të gjitha përgjegjësitë për JO-në e Këshillit Europian. “ – u shpreh Xhixho për Ora News.