Analisti Fatos Lubonja ka folur për situatën politike në vend pas refuzimit për hapjen e negociatave me BE-në por dhe reagimet në dy kampet politike në vend.
Në studion e News24, në rubrikën “Opinion”, Lubonja tha se mos hapja e negociatave erdhi për shkak të problemeve të Europës por që lidhen me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe si i thellojnë këto vende problemet që ka Europa.
Sipas tij është e gabuar që si arbitër shihen ndërkombëtarët pasi arbitri duhet të jemi ne. Ai tha se Shqipëria duhet të forcojë institucionet dhe shtetin e së drejtës.
“Pse nuk u çelën, arsyet i kemi thënë. Janë probleme të Europës por që janë padyshim dhe të lidhur me vendet tona në kuptimin se vendet si të tonat thellojnë ato probleme që ka Europa. Ideja e Makronit këtu është debati, se duhet forcuar kjo Europë që kemi se po u shpërndamë dhe hapemi dhe më, ka rrezik të shpërbehemi fare, kjo është një ide që qëndron për mendimin tim. Problemi ynë është ky që e marrim të mirëqenë këtë që thotë Makroni që ne duhet të forcojmë, të vëmë rregulla pranimi, njërën-tjetrën por nga ana tjetër ne nuk është se punojmë për të bërë propagandë Edi Rama në një krah ose Lulzim Basha në krahun tjetër… U futët, s’u futët, jep dorëheqjen mos jep, e ka fajin Europa, s’e kam fajin unë. Ne kemi procesin tonë të ndërtimit të një shteti të së drejtës, të një shteti që të jetë sa më afër atyre vlerave europiane. E keqja e madhe këtu tek ne është që u bë gjithë kjo zhurmë e madhe për negociatat, ndërkohë që po të jetë puna për dorëheqje të qeverisë nuk jepet dorëheqja për këtë, por kanë gjithë këto skandale që kanë ndodhur. Mjaft skandali i Astirit ishte i mjaftueshëm që të binte një qeveri. Qeveritë duhet të bien kryesisht për arsye të keqqeverisjes, të skandaleve që bëhen në vend”, deklaroi Lubonja.
Ai theksoi se problemi është, sepse ne e ekzagjerojmë rolin e këtij arbitri. “Pra, vulën ia vënë ata, s’të pranuan ata atëherë është e vërtetë që duhet të japësh dorëheqjen se ke bërë këto, këto. Dhe e kundërta Rama pikërisht për të kundërshtuar këtë, nuk ka hall se çfarë mendojnë shqiptarët, se çfarë themi ne, se çfarë thonë faktet, por ka hall të thotë se nuk e kemi fajin ne por Europa dhe duket sikur ne gjykojmë për arbitrin dhe ndajmë arbitrin në dy qëndrime të ndryshme, ndërkohë që arbitër të çështjeve tona duhet të jemi ne.
Nuk më duket se është mbyllur ende kapitulli. Duhet të shohim dhe Macron se çfarë e shtyu për një qëndrim radikal. Një arsye është që Macron ka të djathtën shumë kundër zgjerimit të Europës, e cila është më e madhe. Sigurisht ai do të bëjë dhe llogaritë e pushtetit të tij në nivel kombëtar. Mund të jetë fakti që Gjermania ka investuar më shumë në Ballkan.
Ne duhet të forcojmë institucionet tona, shtetin tonë këtu që në çdo rast të jemi partnerë më të mirë. Detyrat e shtëpisë që nuk janë detyra që na i ka vënë Europa. Janë detyra që i vërtetojmë ne. Ata kanë diferenca por e dinë çfarë ndodh këtu, jo aq shumë sa e dimë ne, se nuk mund ta marrin me mend që jemi aq keq”, deklaroi analisti.
Lubonja tha se nuk sheh asnjë reflektim nga politika në vend edhe pas vendimit për negociatat.
“Absolutisht nuk shikoj reflektim. Po të kishte reflektim do reflektohej në politikat që bëjnë këta. Ata reflektojnë si të gënjejnë si të bëjnë propagandë. Kam unë shpresë këtu që u bëka për 4 muaj SPAK apo Gjykata e Lartë dhe u vendoska drejtësia në Shqipëri dhe u vendoska shteti i së drejtës? Mendoni që mund të ndodhë kjo? Këta nuk e duan Europën e shtetit të së drejtës, këtu bëhet propagandë me Europën. Ditën flitet për Europën, natën punohet kundër Europës. Opozita nuk ka koherencë, nëse thotë se është narkoshtet e thua pastaj duhet të hyjmë në Europë”, u shpreh Lubonja.
Afrimin mes palëve politike analisti e sheh me shqetësim. Ai thotë se problemet në Shqipëri nuk vijnë nga mungesa e ligjit por nga vullneti për ta zbatuar.
“Unë e kam me shqetësim afrimin sa për fasadë. Nuk mendoj se problemet në Shqipëri janë për shkak të sistemit zgjedhor. Ne s’na ka munguar ligji por vullneti për të zbatuar ligjin. Si ndalohet kjo me vullnet politik. Kush ka vullnet politik? Edi Rama? Jo. Opozita ka vullnetin e qartë që do të vijë në pushtet për të ndryshuar gjithë sistemin në Shqipëri, apo siç erdhi Berisha në 2005 ta kalërojë pushtetin. S’i ka shenjat e qarta. Janë të njëjtët njerëz. Disa gjëra mund t’i bëjë më mirë sigurisht. Por a vjen dot në pushtet kur ky i ka kapur të gjitha. Për mendimin tim është mos heqja dorë nga njerëzit. Besoj se shqiptarët duhet ta kuptojnë që duhet të jenë më aktivë ndaj këtyre forcave.
Këta po shkelin me këmbë çdo ditë. Rritjet që po bëhen këtu dhe standardi i jetës që është këtu është më i paparë, më mizerabël i mundshëm”, tha Lubonja.