Pas vendimit të Gjykatës me kërkesë të Prokurorisë për pushimin e hetimit ndaj Lulzim Bashës, Basir Çollakut, Emiljano Nuhut, Enkeljed Alibeajt, Edi Palokës, ish oficeri i Policisë Gjyqësore, nga azili ku gjendet, ka folur shkurtimisht rreth asaj që po ndodh.
Në një intervistë për Shijak TV dhe gazetarin Basir Çollaku, ai është shprehur se, nuk ka besim te kjo drejtësi, por premton se do ta dërgojë çështjen e tij deri në Strasburg, ku sipas tij, në fund do të fitojë drejtësia.
Në intervistën e tij Emiljano Nuhu, oficeri kallzues për Ballën, Rrahjan, Bushin, për ngjarjet e rënda kriminale, deklaron se, Prokuroria heton me urdhër politk, ajo nuk ka hetuar denoncimet e mia për politikanë që mbështesin e bashkëpunojnë me grupe kriminale të trafikut të heroinës dhe kokainës.
“Së shpejti do të flas edhe për dosjet sekrete. Përse paditësi Balla nuk ankimoi vendimin e pushimit të Gjykatës”, paralajmëron Nuhu, ndërsa shton se, “kërcënimi i kryeminsitrit është ende përndjekës për mua”.
Intervista:
Nuhu, prokuroria ka kërkuar gjykatës dhe ajo ka pushuar një padi të Taulant Ballës ndaj Lulëzim Bashës, emrave të tjere të politikës dhe mua që kam bërë intervistën me ju, si e shikoni ktë vendim?
Ky vendim është një kompromis që ka bërë Prokuroria, Gjykata me Z.Taulant Ballën, për mos të nxjerrë në shesh, çfarë fshihet tek Dosja, çfarë provash janë marrë në kundërshtim me ligjin. Ishte z.Taulant Balla, që bëri kallëzimin në Prokurori kundër Z. Lulëzim Bashës, për ju z.Basir Çollaku dhe kundër meje për veprën penale kallëzim i rremë. Pse u tërhoq Balla nga ankimimi? Vetëm fajtori tërhiqet nga lufta.
E keni lexuar vendimin, çfarë veprimesh apo mos veprimesh ju bëjnë përshtypje se janë lënë pa kryer nga hetimi?
Po, e kam lexuar me vëmendje këtë vendim Gjykate, dhe shoh shumë parregullsi gjatë hetimit. I gjithë hetimi është përqëndruar në ato veprime që e nxjerrin të pafajshëm Ballën dhe personat e tjerë të përfshirë në ngjarjen e Fushë-Krujës me 21 korrik 2018. Prokuroria është mjaftuar vetëm me deklarimet e Artur Bushit, Rraman Rrajës, Taulant Ballës që kanë deklaruar sipas dëshirës së tyre.
Nuk mund të pres hetim më të mirë nga kjo Prokurori, që kryen hetime me urdhër Politik. Unë kam denoncuar shtetas të përfshirë në ngjarjen e Fushë-Krujës, që merren me kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, dhe kanë porositur ekzekutimin tim. Politikani i lartë mbështet grupet kriminale të trafikut të Heroinës dhe Kokainës në qytetin e Elbasanit. Ku është hetimi i Prokurorisë për këto vepra të rënda kriminale?
Një akt ekspertimi ka nxjerrë 9 kamera nga stacioni i policisë së Fushë-Krujës për datën 21 korrik, nga një shkarkesë atmosferike, ndaj nuk janë pamjet, nga këto kamera, këto shkarkesa nuk mund të dëmtonin dhe pajisje të tjera. Duhej një inxhinier me licencë të kishte përcaktuar si ndodhi ky veprim?
Në Stacionin e Policisë Fushë Krujë janë 15 kamera që mbulojnë ambientin e brendshëm dhe të jashtëm të godinës. Siç e thotë dhe Gjykata në vendim, që kemi marrë dhe kqyrur 6 nga 15 kamera, pra 9 kamerat e tjera nuk kanë pasur pamje filmike, sepse për fat të mirë të Ballës, me datën 21 Korrik 2018, në Fushë-Krujë paska pasur shkarkesa Atmosferike (Rrufe) dhe i ka dëmtuar. Me sa informacion kam marrë në qoftë se do të kishte pasur shkarkesa Atmosferike do të ishte dëmtuar DVR dhe të gjitha kamerat do ishin jashtë funksionit. Kjo është dhe një nga arsyet kryesore që prokuroria e pushoi hetimin, vetëm në prezencë të avokatit të deputetit, Tulant Ballës dhe pa vënë në dijeni palët e tjera të interesuara. Me pak fjalë të mos merret vesh se ku kanë shkuar pamjet filmike.
Ka dëshmi policësh dhe oficerësh që thonë se ju me 21 korrik 2018 nuk keni qenë në punë, keni lexuar në vendim emrat, si e shikoni këtë?
Po, unë i kam lexuar deklarimet e policëve, por nuk u vë faj, që kanë deklaruar, çfarë u ka thënë shefi i tyre. Frika nga vendi i punës…Informalisht mund të thonë krejt tjetër gjë, për atë që ka ndodhur. Jam i bindur për këtë.
Kanë bërë akt ekspertimi të qelizës së telefonit të Ballës dhe analiza e saj e nxjerrë në Pogradec, po telefoni juaj dhe të tjerëve të permendur duhej të ishin analizuar?
Prokuroria duhet të kërkonte qelizat telefonike për të gjithë personat e përfshirë në ngjarje dhe jo të çonte për ekspertim numrin e telefonit që i serviri vetë Taulant Balla. Ai ka ofruar Prokurorisë një numër telefoni që nuk e ka pasur në përdorim, apo dikush tjetër e përdor atë numër. Mos të harrojmë që bashkëshortja e z.Balla është drejtoreshë në kompaninë telefonike që prokuroria ka kërkuar qelizat telefonike.
Prokuroria ka veçuar çështjen tuaj, nuk po e mbyll, dot ende hetimin s’ka prova?
Prokuroria ka marrë urdhër politik nga Edi Rama, që unë të dënohem me çdo kusht. Besoj ju kujtohet kërcënimi që më bëri me 29 Shtator 2018, Kryeministri, ku tha se Emiljano Nuhun do ta ndjekim këmba këmbës ku do që të jetë, kjo është një nga përndjekjet qe po më bën shteti me urdhër politik.
Akuzat e rënda të tjera që ju keni bërë në intervistën tuaj dhe flasin për ngjarje të rënda në Elbasan dhe qarqe të tjera, por thuajse asnjëra nuk është hetuar?
Akuzat që unë kam bërë nuk janë hetuar, sepse grupet kriminale janë shumë të fuqishëm dhe kanë investuar miliona euro për të blerë zgjedhjet. Këto grupe kriminale kanë mbeshtetjen e kryeministrit tonë. Prokuroria kryen hetime vetëm me delegim politik.
Keni marrë pjesë si i infiltruar në operacione të rëndësishme dhe keni pasur sukses, është kjo ajo që tremb politikanë, pushtetarë dhe zyrtarë?
Ata kanë marrë informacion të detajuar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe e dinë shumë mirë kush jam unë. Pas vendimit të Gjykatës në lidhje me hetimin që po kryhet ndaj meje, do të flasim edhe për dosjet sekrete.
Do t’i shkoni hetimit dhe gjykimit të kallzimeve tuaja deri në Strasburg?
Sigurisht që do ta çoj çështjen time deri në Gjykatën e Strasburgut, dhe jam i bindur që atje do të fitojë drejtësia.