Silva Caka: Populli mund të merret personalisht me Ramën

E mërkurë, 23 October 2019 20:02

Shqipëria ishte përballë vetëm një kushti një vit më parë ndërsa Bundestagu dhe BE vendosën 9 kushte të reja për hapjen e negociatave, dhe zgjidhja e vetme është largimi i Edi Ramës e krijimi i një qeverie teknike që do të angazhohej për plotësimin e tyre dhe hapjen e prespektoivës së vendit për t’u futur në një kapitull të ri të integrimit, shprehet ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka.

Ajo tha gjatë një interviste në Televizionin Fax News se pengesa e vetme është Edi Rama, dështimet e të cilit i konsideron përveç të gjithave edhe një kosto për Maqedoninë e Veriut, që sipas saj u pengua për shkak të Shqipërisë.

“Ne nuk jemi të qartë dhe të ndërgjegjshëm të gjithë së bashku që edhe në Këshillin e Europës ka mekanizma të ndryshme dhe dallime mes të thënave ndërinstitucionale. Kemi pasur vetëm një kusht ndërsa aktualisht jemi përballë 9 kushteve në bazë të asaj çfarë miratoi Bundestagu gjerman. Kemi një “Jo” nga Franca, dhe një “Po” të sforcuar nga Gjermania, ndërkohë “Jo” kemi pasur edhe nga Hollanda dhe Finlanda. Edhe Maqedonia e Veriut u detyrua të merrte në kosto shumë të madhe për shkak të Shqipërisë”, tha ndër të tjera Caka.

Lidhur me Reformën Zgjedhore, ish-deputetja parashtroi edhe disa kritere që duhen përmbushur për të arritur një bashkëpunim mes klasës politike në vend, ku më kryesorin cilësoi largimin e Damian Gjiknurit nga funksioni si bashkëkryetar i komisionit të posaçëm.

“Ne kemi shprehur vullnetin maksimal për të qenë pjesë e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore ndërsa një gjë të tillë e parashikojnë edhe kushtet e Bundestagut gjerman. Nëse Edi Rama dëshiron ta bëjë pa prezencën e opozitës, le ta bëjë. Ne nuk mund të jemi pjesë e një procesi që është totalisht fals, sepse biem ndesh me atë çfarë duam të bëjmë. Nëse shkojmë në një komision që drejtohet nga Damian Gjiknuri që akuzohet për blerje të votave, kjo nuk është më një reformë që duhet të arrihet.

Kush po e heton dosjen 184? Çfarë po ndodh me atë dosje dhe personat e përfshirë në të, përfshirë edhe Damian Gjiknurin që drejton Komisionin e Reformës Zgjedhore? E mira do të ishte për moralin e tij të largohet dhe të dalë para organeve të drejtësisë. Kjo do të shtynte edhe opozitën e bashkuar ta merrte seriozisht punën për Reformën Zgjedhore. Nëse ai vazhdon të jetë deputet, apo një ish-ministër që shpenzon paratë e shtetit për luks e pushime, apo falsifikon firmat e zyrtarëve amerikan, çfarë kuptimi ka kjo!?”, tha Caka.

Përfaqësuesja e LSI-së tregoi edhe kushtet kryesore që ka opozita e bashkuar për të qenë pjesë e Reformës Zgjedhore, por nuk lë pa akuzuar kryeministrin si përjashtues të opozitës ndërsa e parlajmëroi se zemërata qytetare do ta çojë në degradim politik dhe personal.

“Një nga pikat që kërkon opozita për bashkëpunim është largimi dhe hetimi i Damian Gjiknurit. Nga ana tjetër, Edi Ramës i shijon ta bëjë reformën pa opozitën, të jetë në parlament pa opozitën, por nuk e kupton se këto janë shenja të degradimit të tij jo vetëm politik por edhe personal. Të gjitha këto kanë ngjallur një zemëratë të qytetarëve, të cilët në të ardhmen mund të mos merren më me të vetëm politikisht por edhe personalisht”.

Aksion opozitar për opozitën në vijim është diskutimi dhe ofrimi i saj për plotësimin e 9 kushteve të Bunestagut gjerman, tha Caka ndërsa shtoi se Lëvizja Socialiste për integrim ka nisur punën për reflektimin mbi këto kushte.

“Aksioni opozitar ka prioritet 9 kushtet e Bundestagut për të cilat na lind detyra politike dhe morale për të punuar. Edhe për një qeveri teknike që do të vinte në pushtet në rast se do të ketë një dorëheqje, këto 9 kushte duhet të jenë prioritet për të. Në LSI ka filluar puna për të reflektuar në këto 9 kushte edhe pse nuk është detyra jonë, por është përgjegjësi qytetare, politike dhe morale.

Kjo qeveri ka dështuar 3 herë për të hapur negociatat me BE, por si gjithnjë kjo kërkon të gjejë një fajtor. Cakaj në radhë të parë nuk është një ministër. Cakaj dhe kushdo që është në qeveri një vit më parë hapën shampanjën për të festuar hapjen e negociatave”, përfundoi Caka.

Login to post comments